Kryeministri i Malajzisë zotohet se do të vazhdojë politikën e ndalimit të hyrjes së shtetasve izraelitë

Kryeministri i Malajzisë zotohet se do të vazhdojë politikën e ndalimit të hyrjes së shtetasve izraelitë

Kryeministri i Malajzisë, Anwar Ibrahim, është zotuar se vendi i Azisë Juglindore do të vazhdojë politikën e ndalimit të hyrjes së shtetasve izraelitë, transmeton Anadolu.

MARKETING

Description of image

Agjencia shtetërore e lajmeve “Bernama” raportoi se kryeministri Anwar tha se Kuala Lumpuri udhëhiqet nga angazhimi për mbrojtjen e të drejtave të popullit dhe kundërshtimin e “shtypjes, agresionit dhe vrasjeve të vazhdueshme” të palestinezëve në Gaza.

Ai theksoi se kjo politikë nuk është e re, duke shtuar se ajo është në fuqi prej dekadash dhe “duhet të jetë tashmë e njohur për SHBA-në”.

“Disa anëtarë të Kongresit të SHBA-së më kanë kritikuar për vendimin e Malajzisë që të ndalojë hyrjen e shtetasve izraelitë në vend dhe pjesëmarrjen e tyre në kompani dhe aktivitete të lidhura me to. Kjo nuk do të na pengojë. Ata mund të bëjnë kërcënime, por unë do të mbroj me vendosmëri të drejtat e popullit malajzian dhe do të mbështes vendimin e qeverisë për të vazhduar ndalimin e hyrjes së çdo shtetasi izraelit në Malajzi”, tha Anwar.

Tetë ligjvënës demokratë amerikanë më herët gjatë kësaj jave i dërguan një letër sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, duke shprehur pakënaqësi për planin e Malajzisë për të dëbuar shtetasit izraelitë që gjenden në vend.

Ministri i Punëve të Jashtme i Malajzisë, Mohamad Hasan tha se një person me nënshtetësi të dyfishtë amerikane dhe izraelite kishte hyrë në Malajzi me pasaportë amerikane, por iu kërkua të largohej pasi kontrollet zbuluan se ai ishte gjithashtu shtetas izraelit.

Ligjvënësit amerikanë i kërkuan Departamentit të Shtetit të “sqarojë se çfarë hapash po ndërmerr si përgjigje” dhe i bënë thirrje të pezullojë financimin për programin Arsimi dhe Trajnimi Ushtarak Ndërkombëtar (IMET) për Malajzinë nëse kjo politikë nuk ndryshohet.

“Si mund të heshtin përfaqësuesit e zgjedhur në atë vend (SHBA) përballë vrasjes së fëmijëve, civilëve dhe grave, shkatërrimit të shtëpive dhe pushtimit të tokave”, u shpreh Anwar.

“Malajzia është shtet i pavarur. Edhe nëse ata që bëjnë deklarata të tilla nuk janë të lirë të flasin, ne jemi të lirë të shprehim pikëpamjet tona”, tha kryeministri 78-vjeçar, ish-akademik, i cili më parë ka dhënë mësim në Universitetin Georgetown në SHBA.

Ai shtoi se kjo çështje nuk duhet të ndikojë në marrëdhëniet dypalëshe me Washingtonin. Hasan tha se ambasadori i Malajzisë në Washington ia ka shpjeguar qëndrimin e Kuala Lumpurit Departamentit Amerikan të Shtetit.

Ai shtoi se politika e imigracionit e Malajzisë nuk e njeh “Shtetin e Izraelit apo regjimin sionist”.

MARKETING