Kryeministri britanik: Rikthimi në BE pa referendum është i “paimagjinueshëm
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Andy Burnham, ka deklaruar se çdo përpjekje për rikthimin e vendit në Bashkimin Evropian (BE) do të kërkonte mbajtjen e një referendumi, transmeton Anadolu.
Deputeti konservator Sir Bernard Jenkin e pyeti në Dhomën e Komunave nëse mund të japë “një deklaratë të qartë dhe të pakundërshtueshme se do të ishte e paimagjinueshme që ndonjë kryeministër të përpiqej ta rikthente Mbretërinë e Bashkuar në BE pa referendum”.
Burnham u përgjigj: “Po, kjo do të ishte e paimagjinueshme”.
Megjithatë, duke iu përgjigjur një pyetjeje të mëvonshme nga deputeti laburist Graham Stringer, Burnham theksoi se nuk synon të rihapë çështjen e vendimit të Mbretërisë së Bashkuar për t’u larguar nga blloku evropian.
“Në këtë moment nuk po propozoj përsëritjen e referendumit”, tha ai.
Burnham shtoi se marrëveshja e fundit për rivendosjen e marrëdhënieve me BE-në, e arritur të premten me liderët evropianë, është në përputhje me programin zgjedhor mbi bazën e të cilit ai u zgjodh.
Britania u largua nga BE-ja në vitin 2020, pas referendumit të vitit 2016, në të cilin qytetarët votuan për largimin nga blloku me 52 për qind kundrejt 48 për qind.
Burnham gjithashtu hodhi poshtë shqetësimet se marrëveshja do ta detyronte Mbretërinë e Bashkuar t’i bashkohej sistemit të identitetit digjital të BE-së.
Duke iu përgjigjur deputetit konservator David Davis, i cili vuri në pikëpyetje mënyrën se si qeveria mund të justifikonte një marrëveshje që mund ta ekspozonte Britaninë ndaj kërkesave të BE-së për identifikimin digjital, Burnham tha se vendi nuk do t’i bashkohet skemës së portofolit digjital të identitetit të bllokut.
Burnham argumentoi gjithashtu se “shumë ura me Evropën u dogjën gjatë marrëveshjes së parë për Brexit-in”, duke shtuar se Britania duhet të shqyrtojë një “gamë opsionesh” për marrëdhëniet e saj të ardhshme me bllokun prej 27 vendesh anëtare.
Marrëveshja e re përfshin një skemë të mobilitetit për të rinjtë, heqjen e shumicës së kontrolleve ndaj eksporteve britanike të produkteve ushqimore dhe ndërlidhjen e sistemeve të tregtimit të emetimeve të Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së.

