Kryediplomatja irlandeze: BE-ja nuk mund të vazhdojë të jetë “spektatore” për Gazën dhe Bregun Perëndimor

Kryediplomatja irlandeze: BE-ja nuk mund të vazhdojë të jetë “spektatore” për Gazën dhe Bregun Perëndimor

Ministrja e Punëve të Jashtme e Irlandës, Helen McEntee, ka deklaruar se vendet e Bashkimit Evropian (BE) duhet të veprojnë pasi nuk mund të vazhdojnë të jenë “spektatore”, veçanërisht kur bëhet fjalë për Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.

Duke folur para gazetarëve para mbledhjes së Këshillit të Punëve të Jashtme në Bruksel, McEntee ritheksoi se Irlanda ka kërkuar sanksione kundër kolonëve të dhunshëm në Bregun Perëndimor dhe “atyre që i mbështesin”.

“Është bindja ime që BE-ja duhet të veprojë, se nuk mund të vazhdojmë të jemi spektatorë, veçanërisht kur bëhet fjalë për Gazën dhe situatën në përshkallëzim në Bregun Perëndimor”, tha ajo.

Duke theksuar se do të kërkojë pezullimin e elementeve tregtare të Marrëveshjes së Asociimit mes Izraelit dhe BE-së, McEntee tha se është “absolutisht thelbësore” që BE-ja të përputhet me të drejtën ndërkombëtare.

“Është bërë shumë e qartë se kjo lloj tregtie është e paligjshme, prandaj do të punoj me kolegët. Sa më shumë të vonohet kjo, aq më gjatë do të vazhdojë dhe aq më pak ka gjasa që Izraeli të ndryshojë sjelljen e tij”, tha McEntee.

Siç tha ajo, dhuna nuk është zvogëluar, por përkundrazi vetëm është rritur dhe se situata në Gaza vazhdon të përkeqësohet.

“Pra, situata humanitare mbetet katastrofike. Nuk po hyn ndihmë e mjaftueshme dhe sjelljet e veprimet e Izraelit nuk po ndryshojnë. Mendoj se duhet të reagojmë. Mendoj se duhet të veprojmë. Duhet të përgjigjemi”, shtoi ajo.

E pyetur për “tarifat” në lidhje me tregtinë me kolonët, kryediplomatja irlandeze tha se kjo “legjitimon atë që duhet të jetë tregti e paligjshme”.

“E drejta ndërkombëtare është shumë e qartë se këto janë vendbanime të paligjshme. Pra, duke vendosur tarifa, ju po sugjeroni se ato janë disi të legjitimuara. Ne nuk e mbështesim këtë”, shtoi ajo.

Më vonë, ministri francez i Punëve të Jashtme, Jean-Noel Barrot, njoftoi se kryediplomatët e BE-së ranë dakord për një raund të ri sanksionesh që synojnë kolonët izraelitë dhe organizatat e akuzuara për mbështetje të aktiviteteve të paligjshme të vendbanimeve në Bregun Perëndimor të pushtuar.

“U krye! BE-ja sot po vendos sanksione ndaj organizatave kryesore izraelite fajtore për mbështetjen e kolonizimit ekstremist dhe të dhunshëm të Bregut Perëndimor, si dhe ndaj drejtuesve të tyre. Këto akte shumë serioze dhe të patolerueshme duhet të ndalen pa vonesë”, shkroi Barrot në rrjetin social amerikan X.

MARKETING