Kryediplomati turk Fidan takohet në Washington me homologun amerikan Rubio

Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan dhe homologu i tij amerikan, Marco Rubio, filluan bisedimet sot në Departamentin e Shtetit në Washington, raporton Anadolu.
Përpara takimit me dyer të mbyllura, Fidan dhe Rubio pozuan për mediat.
Kjo shënon vizitën e parë të Fidan nën administratën e presidentit Donald Trump dhe do të fokusohet në forcimin e marrëdhënieve, si dhe përgatitjen për vizitat e ardhshme të nivelit të lartë midis dy vendeve.
Fidan pritet të takohet me zyrtarë të tjerë të lartë amerikanë.
Diskutimet do të mbulojnë një sërë çështjesh rajonale, duke përfshirë situatat në Ukrainë, Palestinë dhe Siri, me theks në eksplorimin e mundësive të mëtejshme për bashkëpunim.
Fidan pritet të përcjellë qëndrimet e Ankarasë për çështjet kyç rajonale, veçanërisht mbështetjen e saj për stabilitetin dhe integritetin territorial të Sirisë.
Do të diskutohet gjithashtu rëndësia e heqjes së sanksioneve ndaj Sirisë dhe zgjerimit të bashkëpunimit Türkiye-SHBA në ndihmën humanitare dhe përpjekjet për rindërtim. Përveç kësaj, do të trajtohet lufta kundër grupit terrorist DEASH dhe menaxhimi i kampeve të refugjatëve.
Takimet do të fokusohen gjithashtu në forcimin e bashkëpunimit në luftën kundër terrorizmit, duke përfshirë përpjekjet për të çmontuar elementët e PKK/YPG-së nën ombrellën e “Forcave Demokratike Siriane (SDF)” dhe luftimin e organizatës terroriste FETO.
Fidan do të theksojë përpjekjet diplomatike të Türkiyes për t’i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë dhe mbështetjen për iniciativat e armëpushimit të udhëhequra nga SHBA-ja, duke ofruar kontributin e mëtejshëm në këto përpjekje.
Bisedimet do të trajtojnë gjithashtu nevojën për përpjekje më të mëdha për të arritur një armëpushim të përhershëm në Rripin e Gazës, për të lehtësuar ndihmën humanitare në enklavë dhe që SHBA-ja të përdorë ndikimin e saj ndaj Izraelit.
Diskutimet do të prekin heqjen e sanksioneve të Ligjit Kundër Kundërshtarëve të Amerikës Përmes Sanksioneve (CAATSA), kthimin e Türkiyes në programin F-35 dhe heqjen e barrierave për blerjet në industrinë e mbrojtjes.
Fidan do të theksojë përafrimin e bashkëpunimit të industrisë së mbrojtjes me realitetet gjeopolitike, me shpresën për të arritur një objektiv tregtar prej 100 miliardë dollarësh.