Krerët shtetëror të Maqedonisë së Veriut thirrje për donacione për Turqinë dhe Sirinë pas tërmeteve

Krerët shtetëror të Maqedonisë së Veriut thirrje për donacione për Turqinë dhe Sirinë pas tërmeteve

Përfaqësues të kreut shtetëror të Maqedonisë së Veriut, liderë politikë, përfaqësues të komunitetit të biznesit, artistë, figura të jetës publike dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe humanitare morën pjesë në një program të hapur televiziv në të cilin u bënë thirrje qytetarëve që të japin mjete financiare për Türkiye-n dhe Sirinë, të prekura nga tërmetet shkatërruese të 6 shkurtit, transmeton Anadolu.

Televizioni “Kanal 5” organizoi dje një program të hapur donacionesh me titull “Të bashkuar për Türkiye-n dhe Sirinë”.

“Të ndihmojmë kush sa mundet dhe të vazhdojmë me solidaritetin dhe humanizmin për viktimat e tërmeteve në Türkiye dhe Siri”, tha presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, i cili mori pjesë në programin e hapur televiziv të drejtpërdrejtë.
Në program mori pjesë edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski.

“Nuk duhet t’i lëmë vetëm të mbijetuarit e tërmeteve shkatërruese. Nevojitet një përgjigje gjithëpërfshirëse humanitare. Njerëzit kanë nevojë për ndihmë tani. Prandaj u bëj thirrje qytetarëve, secili me mundësitë e tyre që të dhurojnë dhe ndihmojnë me aq sa munden”, theksoi Kovaçevski.

Në programin televiziv mori pjesë edhe ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.

“Republika e Maqedonisë së Veriut vazhdimisht merr mbështetje në momentet më të vështira nga Republika e Türkiye-s, marrëdhëniet e qytetarëve tanë me popullin turk janë të veçanta, kjo krijon një lloj detyrimi moral të jemi këtu për të gjitha nevojat që ata kanë. Ndoshta ndihma që mund të japë shteti është e vogël, por është jashtëzakonisht e madhe nëse shihet në momentin kur po bëhet”, tha Spasovski.

“Të gjithë qytetarët duhet të bashkohen në këto momente dhe të ndihmojnë, një nga mënyrat është duke telefonuar në numrin e telefonit 143 400, duke dhuruar para dhe gjithçka që mund të arrijë sa më shpejt në zonat e prekura nga kjo fatkeqësi e madhe”, shtoi ai.

Në program mori pjesë edhe kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, e cila informoi për aktivitetet e Qytetit të Shkupit në lidhje me ndihmën për të prekurit nga tërmeti në Türkiye.

Në programin televiziv mori pjesë nënkryetari i MATTO-s (Oda Ekonomike Maqedoni-Türkiye), Imer Selmani, i cili foli për aksionet e organizuara në vend për të ndihmuar Türkiye-n dhe qytetarët e saj të prekur nga tërmetet.

Në programin e hapur televiziv mori pjesë edhe kryetari i partisë VMRO-DPMNE, i cili u bëri thirrje qytetarëve që të japin donacione.

Në programin e hapur “Të bashkuar për Türkiye-n dhe Sirinë” morën pjesë mjekë, përfaqësues të sektorit civil si dhe figura të shumta nga jeta publike të cilët u bënë thirrje qytetarëve që të japin fonde për Türkiye-n dhe Sirinë.

MARKETING