Krerë institucionesh dhe partish në RMV urojnë Kurban Bajramin

Me rastin e festës së Kurban Bajramit, krerë të institucioneve shtetërore dhe përfaqësues të partive politike kanë dërguar mesazhe urimi për besimtarët muslimanë. Në mesazhet e tyre, ata kanë theksuar rëndësinë e solidaritetit, paqes dhe bashkëjetesës në këtë ditë të shenjtë, raporton SHENJA.
MARKETING
Kryeministri, kryetari i Kuvendit, si dhe liderë të partive opozitare e qeveritare kanë shprehur urime për mbarësi, mirësi dhe begati.
Festa e Kurban Bajramit është cilësuar si një mundësi për reflektim dhe forcim të vlerave njerëzore e fetare. Urimet janë shoqëruar me thirrje për më shumë unitet dhe kujdes ndaj shtresave në nevojë.
Urimi i kryeministrit Hristijan Mickoski:
“Më lejoni që në emrin tim dhe në emër të Qeverisë t’ju uroj festën myslimane të Kurban Bajramit, Juve dhe të gjithë qytetarëve që i përkasin bashkësisë islame, duke Ju dëshiruar që ta kaloni këtë festë në shëndet të mirë, paqe, mirëqenie dhe qetësi në zemrat dhe shtëpitë tuaja. Festa e Kurban Bajramit na kujton për vlerat dhe parimet e vërteta të jetës e ajo është që të bëjmë vepra të mira, të ndihmojmë dhe të jemi humanë, sepse humanizmi dhe solidariteti janë virtytet më të mëdha njerëzore. Bashkësia Islame dhe të gjithë besimtarët e saj janë pjesë e këtij shteti, prandaj është e domosdoshme të japim dorën dhe të respektojmë dallimet, sepse vetëm në këtë mënyrë do të ndërtojmë një shtet me qytetarë të lumtur dhe të kënaqur. Përkushtimi ynë është që ta ndërtojmë shtetin në mirëkuptim të ndërsjellë, respekt, besim dhe tolerancë. Këtë do ta arrijmë vetëm nëse jemi të bashkuar.
Si Qeveri, në një periudhë të shkurtër kemi arritur ta transformojmë shtetin, përmes dialogut dhe bashkëpunimit kemi realizuar projekte nga të cilat përfitime të mëdha do të kenë të gjithë qytetarët, pa dallim përkatësie etnike apo fetare.
Por, nevojiten hapa të mëdha për realizimin e qëllimeve të përbashkëta dhe prandaj le të jetë lufta për një të ardhme më të mirë, shpresë dhe jetë më cilësore udhërrëfyesi ynë i përbashkët për një Maqedoni të suksesshme dhe fitimtare, shtet shtëpi për çdo qytetar dhe Maqedoni e ndryshimeve.
Urimi i presidentes Gordana Siljanovska Davkova:
Presidentja Gordana Siljanovska Davkova, me rastin e festës së madhe myslimane të Kurban Bajramit, dërgoi mesazh urimi, duke dëshiruar që ditët festive të kalojnë me shëndet të mirë, të mbushura me lumturi, gëzim dhe dashuri.
“Si festë e dhënies dhe ndihmës, Kurban Bajrami nxjerr në pah fisnikërinë e njeriut, duke na motivuar të kujdesemi për të gjithë anëtarët e bashkësisë. Si shoqëri, ne gjithmonë jemi dalluar për solidaritetin, bashkimin, respektin dhe kujdesin tonë, dhe duhet të vazhdojmë ta ruajmë dhe kultivojmë këtë. Ne jetojmë në kohë komplekse dhe dinamike me ndryshime tektonike politike dhe ekonomike në shkallë globale, të cilat kërkojnë mençuri, bashkim dhe vullnet e këmbëngulje të fortë. Le të mbështetemi te njëri-tjetri, të zhvillojmë empati dhe solidaritet dhe të përpiqemi në thelb për mirëqenien e të gjithë bashkëqytetarëve tanë dhe prosperitetin e atdheut!”, thuhetnë urim.
Urimi i kryeparlamentari Afrim Gashi:
Në emrin tim personal dhe në emër të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ju shpreh urimet e mia të sinqerta me rastin e festës së madhe të Kurban Bajramit.
Kjo ditë e ndritshme sakrifice na kujton rëndësinë e besimit, mirësisë dhe kujdesit për të afërmin. Le të sjellin ditët festive paqe shpirtërore, shëndet dhe begati në shtëpitë tuaja. Solidariteti dhe mëshira që e karakterizojnë traditën e Kurban Bajramit le të shërbejnë si nxitje për respekt dhe unitet edhe më të madh të ndërsjellë në shoqërinë tonë
multikulturore.
Jam i bindur se, me angazhim të përbashkët, të gjithë do të vazhdojmë të forcojmë bashkëjetesën, tolerancën dhe humanizmin në vendin tonë. Kuvendi mbetet një partner i përkushtuar fort në promovimin e lirisë së fesë dhe në ndërtimin e një shoqërie me mundësi të barabarta për të gjithë.
Kurban Bajrami le të sjellë gëzim, prosperitet dhe bekime në çdo familje.
Urimi i krerëve të VLEN-it:
Në këtë ditë të madhe besimi e sakrifice, VLEN u përcjell urimet më të përzemërta të gjithë besimtarëve myslimanë me rastin e Kurban Bajramit.
Kjo festë nuk është thjesht therje kurbani. Është gjak i bagëtive që bie për të kujtuar sakrificën, përkushtimin ndaj Zotit dhe kujdesin për njeriun. Është një thirrje e fuqishme për të mos harruar të varfrit, jetimët, të vetmuarit e të harruarit nga shoqëria. Bajrami është mundësi për të ndarë jo vetëm mishin, por edhe dashurinë, kujdesin, respektin.
Në një shoqëri që shpesh nxit egoizmin dhe harresën për tjetrin, Kurban Bajrami na mëson se njeriu është mbi gjithçka. Dhe pikërisht këtë besim bartim edhe ne si VLEN, përkushtimin ndaj njeriut, pavarësisht prejardhjes, pozitës apo mundësive.
Angazhimi ynë është që asnjë tryezë të mos mbetet bosh, asnjë zë të mos mbetet i padëgjuar dhe asnjë dorë e zgjatur të mos mbetet pa përgjigje. Këtë e kërkon feja, kjo është përgjegjësia jonë njerëzore, dhe ky është premtimi ynë politik.
Gëzuar Kurban Bajramin me zemër të pastër, me dorë të hapur dhe me besim të palëkundur në të mirën!
Urimi i Aleancës për Shqiptarët:
Me rastin e Festës së Sakrificës – Kurban Bajramit, Aleanca për Shqiptarët ju uron nga zemra juve dhe familjeve tuaja shëndet, paqe, begati dhe harmoni.
Kjo festë e shenjtë na rikujton vlerat më të larta të besimit, sakrificës dhe solidaritetit. Ajo na fton të reflektojmë mbi përgjegjësinë tonë ndaj njëri-tjetrit, ndaj të dobëtëve, dhe ndaj ndarjes së të mirave me ata që kanë më pak.
Në këtë ditë të veçantë, lutemi që çdo familje të përjetojë gëzim e mirëqenie, dhe çdo zemër të mbushet me shpresë, dashuri dhe besim në një të ardhme më të ndritur.
Gëzuar Kurban Bajramin!