Krenar Lloga – VMRO-DPMNE-së: Sindroma e eliminimit të kundërshtarit po rikthehet me Mickoskin

Sekretari Gjeneral i Aleancës për Shqiptarët (krahu i Ziadin Selës), Krenar Lloga, ka reaguar ndaj qasjes politike të qeverisë së re të drejtuar nga VMRO-DPMNE dhe kryeministri Hristijan Mickoski. Në një deklaratë publike, Lloga akuzon qeverinë për tendenca përjashtuese dhe arrogancë politike, duke thënë se “eliminimi i kundërshtarit” është një sindromë e trashëguar politike që po rikthehet fuqishëm.
Më poshtë reagimi i plotë i Llogës:
Eliminimi i kundërshtarit, një sindromë e trashëguar politike e VMRO-DPMNE-së!
Një nga dukuritë më të dëmshme të politikës vendore është tradita për ta parë kundërshtarin si armik që duhet eliminuar, dhe jo si partner në proceset demokratike. Kjo prirje, e trashëguar thellë në kulturën e brendshme të VMRO-DPMNE-së, sot po rikthehet fuqishëm nën drejtimin e Hristijan Mickoskit.
Kur pata rastin të drejtoj Ministrinë e Drejtësisë, një nga vendimet e para ishte hapja e saj ndaj opozitës. U krijuan grupe pune ku opozitës iu ofrua mundësia të merrte drejtimin për përgatitjen e disa draft-ligjeve. Ideja ishte e qartë: gjithëpërfshirja do të sillte më shumë legjitimitet, do të kursente kohë dhe energji dhe do të shpejtonte reformat.
Megjithatë, opozita e atëhershme bojkotoi çdo ftesë, edhe pse të gjitha materialet iu shpërndanë me kërkesën e tyre. Kjo u pa me habi nga ndërkombëtarët, veçanërisht nga OSBE, që e shihnin si të pashpjegueshme refuzimin e një hapësire të dhënë për dialog. Në atë kohë mendoja se ky ishte thjesht frustrim opozitar, por ruaja bindjen se ky leksion demokratik do të shfrytëzohej dhe do na “dërmonte” kur ata të vinin në pushtet. Sot, fatkeqësisht, shihet qartë se VMRO-DPMNE nuk ka dalë nga modeli i saj historik: përjashtues, jo bashkëpunues dhe i prirur drejt eliminimit të kundërshtarit.
Sot, në vend të ndërtimit të një fryme bashkëpunimi, diskursi politik i qeverisë, veçanërisht i kryeministrit, është i mbushur me prepotencë, përjashtim, agresivitet dhe arrogancë. Një qasje e tillë bie ndesh me pritjet nga një lider që duhet të ndërtojë konsensus, sidomos në një vend ku për shumë vendime kyçe, si ndryshimet kushtetuese apo proceset integruese nevojiten 2/3 e votave të opozitës.
Në vend që të pozicionohet si faktor i avancuar unifikues, KM Mickoski e paraqet veten si përfaqësuesin e vetëm të “vullnetit popullor”, duke i mohuar opozitës legjitimitetin politik dhe duke e reduktuar atë në një pengesë për zhvillimin e vendit. Ky diskurs është veçanërisht i rrezikshëm për një demokraci të brishtë si e jona.
Rezultati zgjedhor e ka ushqyer një vetëbesim të tepruar tek VMRO-DPMNE, që shpesh shndërrohet në fodullëk politik. Kjo qasje vërehet qartë në trajtimin e disa temave të ndjeshme:
-Rasti i Kocanit, ku u injoruan përgjegjësitë politike dhe instucionale për tragjedin.
-Bllokada e integrimit europian, e përdorur si armë politike dhe jo si prioritet kombëtar.
-Keqmenaxhimi i zjarreve, që tregoi paaftësinë institucionale.
-Emërimet partiake në organet e sigurisë, që minojnë profesionalizmin dhe besueshmërinë e institucioneve.
-“Gjenocidi ekologjik”, rezultat i mosveprimit për mbrojtjen e mjedisit.
-Kapja e gjyqësorit, që ushqen perceptimin se drejtësia mbetet instrument i pushtetit.
Këto raste e forcojnë perceptimin tek qytetarët se qeveria e sheh veten si të paprekshme dhe të liruar nga çdo formë llogaridhënieje.
Qasja aktuale e qeverisë nuk ndërton ura, por thellon ndarjet politike dhe shoqërore. Përjashtimi i opozitës dhe mungesa e dialogut krijojnë një klimë tensioni të përhershëm, duke rrezikuar bllokimin e çdo procesi madhor.
Në një vend që ka nevojë të ngutshme për reforma dhe përmbushje të standardeve europiane, kjo qasje është recetë për stagnim. Nëse nuk ndryshohet kursi, Maqedonia e Veriut do të përfshihet sërish nga një cikël krize, ku qytetarët do të humbin besimin tek institucionet, integrimi europian do të shtyhet, drejtësia do të mbetet e kapur dhe shoqëria do të fragmentohet edhe më tej.
KM Mickoski dhe VMRO-DPMNE-ja e tij, kanë në duar mundësinë për të treguar se janë të aftë të qeverisin me përgjegjësi, duke kapërcyer trashëgiminë politike të eliminimit të kundërshtarit. Por kjo kërkon një ndryshim të thellë, jo vetëm të gjuhës dhe të sjelljes, por edhe të gatishmërisë për dialog, kompromis dhe llogaridhënie. Pa këto elemente, arroganca politike nuk do të sjellë zhvillim, por vetëm krizë të re, duke e lënë vendin peng të interesave të ngushta partiake.