Krenar Lloga: Pranimi i listave të paplota nga KSHZ përbën shkelje të rëndë ligjore dhe vepër penale

Krenar Lloga: Pranimi i listave të paplota nga KSHZ përbën shkelje të rëndë ligjore dhe vepër penale

Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët, krahu i udhëhequr nga Ziadin Sela, Krenar Lloga, ka reaguar ndaj një praktike të mundshme të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), që sipas tij bie ndesh me legjislacionin në fuqi dhe rrezikon rendin kushtetues të vendit.

Në një deklaratë publike, Lloga thekson se pranimi nga KSHZ i listave për këshilltarë që përmbajnë më pak kandidatë nga sa përcakton neni 34 i Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, përbën shkelje të qartë të ligjit dhe futet në përbërje të një vepre penale të rëndë.

Reagimi i plotë i Llogës:

■ Nëse Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) pranon lista për këshilltarë që përmbajnë më pak kandidatë nga sa përcaktohet me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale (neni 34), atëherë vepron në kundërshtim të hapur me ligjin dhe bie në përbërje të një vepre penale të rëndë, për të cilën organet përgjegjëse dhe anëtarët përkatës duhet të mbajnë përgjegjësi individuale dhe institucionale.

Vendimi i Qeverisë vLEN-VMRO (Vendim për përcaktimin e numrit të anëtarëve të këshillave të komunave në Republikën e Maqedonisë së Veriut – Gazeta Zyrtare e RMV-së, nr. 199, datë 26.9.2024) në këtë drejtim është tendencioz, absurd dhe në kundërshtim të plotë me normat juridike pozitive, dhe si i tillë duhet të tërhiqet menjëherë. Çdo akt që cenon standardet e vendosura me ligj në procesin zgjedhor përbën rrezik serioz për rendin kushtetues dhe funksionimin demokratik të shtetit.

Cënimi i ligjshmërisë së zgjedhjeve përfaqëson një nga format më të rënda të shkeljes institucionale dhe ka pasoja të rënda për demokracinë, funksionimin e shtetit të së drejtës dhe besimin e qytetarëve në procesin zgjedhor.

Për këtë arsye, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve të sqarojë pa vonesë këtë çështje dhe të veprojë në përputhje të plotë me dispozitat ligjore në fuqi, duke garantuar integritetin dhe ligjshmërinë e procesit zgjedhor.

MARKETING