Krenar Lloga: E vërteta që mungon në narrativën mediatike për “turqit” dhe nënshtetësitë

Krenar Lloga: E vërteta që mungon në narrativën mediatike për “turqit” dhe nënshtetësitë

Ish-ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, ka reaguar ndaj, siç e cilëson ai, narrativës së pasaktë mediatike lidhur me rritjen e kërkesave për shtetësi dhe interpretimin e tyre si pasojë e standardit të jetesës në Turqi.

Në një shkrim publik, Lloga thekson se një pjesë e mediave në Maqedoninë e Veriut po transmetojnë një “të vërtetë gjysmake”, duke e shpjeguar këtë proces thjesht përmes prizmit ekonomik, ndërkohë që sipas tij, shkaqet reale janë historike, ligjore dhe politike.

Sipas Llogës, rritja e numrit të kërkesave për shtetësi është pasojë direkte e ndryshimeve ligjore të vitit 2021, të cilat korrigjuan padrejtësi të trashëguara që nga periudha jugosllave dhe tranzicioni pas pavarësisë. Këto ndryshime, ai thekson, mundësuan zgjidhjen e statusit juridik për qindra persona që për dekada kishin mbetur pa shtetësi ose me status të paqartë, pavarësisht se ishin lindur dhe rritur në këtë vend.

Shkrimi i plotë i Lllogës:

E vërteta që mungon në narrativën mediatike për “turqit” dhe nënshtetësitë

Një pjesë e konsiderueshme e mediave në Maqedoninë e Veriut kanë transmetuar së fundmi një të vërtetë gjysmake lidhur me “turqit”, standardin e jetesës në Turqi dhe rritjen e kërkesave për shtetësi. Ky interpretim i thjeshtëzuar, i servirur si shpjegim ekonomik, është në thelb politik dhe devijues, sepse shmang shkaqet reale historike dhe ligjore.

E vërteta faktike është se rritja e numrit të kërkesave për shtetësi është pasojë direkte e ndryshimeve ligjore të vitit 2021, të cilat korrigjuan padrejtësi të trashëguara që nga periudha jugosllave dhe tranzicioni i hershëm pas vitit 1991. Këto ndryshime mundësuan zgjidhjen e statusit juridik të qindra banorëve shqiptarë dhe të tjerë, të lindur ose të rritur në këtë vend të quajtur tani Maqedoni e Veriut, të cilët për dekada kishin mbetur pa shtetësi ose me status të paqartë për arsye politike dhe burokratike.

Pjesa e parë e personave pashtetësi lidhet me një pjesë nga shkëputja e Maqedonisë si shtet i pavarur dhe pjesa tjeter, për ta kuptuar drejt këtë proces, duhet kthyer pas në kohë. Në vitin 1938, Mbretëria e Jugosllavisë dhe Turqia nënshkruan një Konventë për emigrimin, e cila nuk parashikonte shkëmbim të ndërsjellë popullsish, por emigrim të njëanshëm të myslimanëve nga Jugosllavia drejt Turqisë. Kjo konventë nuk u zbatua plotësisht për shkak të Luftës së Dytë Botërore, por politika e shpërnguljes u riaktivizua fuqishëm pas vitit 1951, sidomos në periudhën 1951-1966, nën regjimin jugosllav.
Në praktikë, shqiptarët myslimanë nga Kosova, Maqedonia dhe Sanxhaku:
u regjistruan administrativisht si “turq”,
u detyruan të deklaronin gjuhën turke si gjuhë amtare,
shpesh ndryshuan emra dhe mbiemra,
dhe u shtynë drejt emigrimit përmes presioneve ekonomike, arsimore dhe institucionale (thuajse si une çdo familje këtu ka familjarë të tillë në Turqi).

Kjo nuk ishte zgjedhje identitare, por mekanizëm shtetëror për inxhinieri demografike. Megjithatë, në legjislacionin e mëvonshëm të Maqedonisë së pavarur, këta njerëz vazhduan të trajtoheshin si “jo-autoktonë”. Në ligje ekzistonin dispozita që i referoheshin kthimit (largimit) në “vendin amë (maticna zemja)”, duke iu referuar padrejtësisht marrëveshjeve turko-jugosllave për shkëmbim popullsie – një shkëmbim që historikisht nuk ka ekzistuar në kuptimin juridik.
Pikërisht këto dispozita diskriminuese dhe shoviniste, të cilat mohonin faktin se këta qytetarë kishin lindur, jetuar dhe varrosur familjarët e tyre me shekuj në Maqedoni, u hoqën me ndryshimet e fundit ligjore (2021). Me këtë akt, shteti pranoi më në fund se bëhej fjalë për njerëz që nuk kishin hequr dorë vullnetarisht nga shtetësia, por ishin përjashtuar sistematikisht prej saj.
Si rezultat, sot kemi një korrigjim juridik, jo një valë migrimi ekonomik. Prandaj, përpjekja e disa mediave për ta lidhur këtë proces me krizën ekonomike ose standardin e jetesës në Turqi është tendencioze dhe politikisht e motivuar, sepse fsheh thelbin: korrigjimin e një padrejtësie historike të prodhuar nga shteti dhe e toleruar për dekada.
Këta numra nuk flasin për oportunizëm, por për rikthim të një të drejte natyrore, të mohuar padrejtësisht dhe të rikthyer me vonesë.

MARKETING