Kremlini: Bisedimet e fundit midis Putinit dhe të dërguarit amerikan, “jashtëzakonisht të dobishme”

Kremlini i përshkroi sot bisedimet e fundit midis presidentit rus Vladimir Putin dhe të dërguarit special të SHBA-së, Steve Witkoff si “jashtëzakonisht të dobishme”, raporton Anadolu.
Putin dhe Witkoff u takuan në qytetin rus të Shën Petersburgut të premten, ndërsa SHBA-ja dhe Rusia vazhdojnë kontaktet për të ringjallur lidhjet dypalëshe si dhe për të gjetur zgjidhje për luftën në Ukrainë.
“Kontaktet e tilla janë jashtëzakonisht të dobishme dhe shumë efektive”, u tha gazetarëve në Moskë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Peskov tha se kontaktet janë efektive për shkak të krijimit të një linje “shumë të njohur” për komunikim midis Moskës dhe Washingtonit. Ai tha se kjo i ndihmon të dyja palët të marrin informacion nga dora e parë, duke riafirmuar se nuk duhet të priten rezultate të menjëhershme për shkak të diskutimeve që sillen rreth çështjesh “shumë komplekse”.
Ai mohoi çdo diskutim mbi përgatitjet për një takim midis Putinit dhe presidentit të SHBA-së, Donald Trump. “Vështirë të pritet një vendim tjetër, veçanërisht pasi këto janë veprime mjaft automatike”, tha ai.
“Ne jemi në fillim të rrugës sonë për normalizimin e marrëdhënieve, për t’i ndërtuar ato praktikisht përsëri, kështu që nuk kishim asnjë pritshmëri të fryrë për këtë çështje”, shtoi Peskov.
Javën e kaluar, Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që zgjat për një vit tjetër sanksionet e vendosura ndaj Rusisë në prill të vitit 2021, gjatë mandatit të ish-presidentit amerikan Joe Biden.
– Pikëpamja e Evropës për Ukrainën
Peskov komentoi gjithashtu qëndrimin e Evropës për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë, duke akuzuar vendet e BE-së se janë të prirura të “provokojnë më tej vazhdimin e luftës”.
Ai veçoi komentet e kancelarit të ardhshëm gjerman Friedrich Merz një ditë më parë, duke pretenduar se ai mbështet idenë e përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit më shumë se trevjeçar.
Gjatë një interviste të gjerë me transmetuesin publik ARD të dielën vonë, Merz foli në favor të sigurimit të Ukrainës me raketa me rreze të gjatë “Taurus”.
Gjermania kundërshtoi fuqimisht dërgimin e raketave me rreze të gjatë “Taurus” në Ukrainë gjatë mandatit të kancelarit në largim Olaf Scholz, nga frika se një veprim i tillë mund ta tërheqë Berlinin drejtpërdrejt në konflikt.