Kosovë, nis rrënimi i gjashtë objekteve pa leje në zonën e Liqenit të Ujmanit

Kosovë, nis rrënimi i gjashtë objekteve pa leje në zonën e Liqenit të Ujmanit

Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) ka nisur rrënimin e gjashtë objekteve të ndërtuara pa leje në zonën përreth Liqenit të Ujmanit, në kuadër të aksionit për mbrojtjen e zonave ujore të liqeneve akumuluese në Kosovë, transmeton Anadolu.

Ministrja e MMPH-së, Fitore Pacolli ka bërë të ditur nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale se nga gjashtë objektet që do të rrënohen, katër janë veranda dhe dy shtëpi.

Ajo ka theksuar se aksioni në Ujman vjen pas rrënimit të ndërtimeve pa leje dhe pastrimit të zonës përreth Liqenit të Radoniqit. Pacolli ka bërë të ditur se pas Ujmanit, aksioni do të vazhdojë edhe në zonat përreth liqeneve të Batllavës dhe Badovcit.

“​Mbrojtja e liqeneve dhe burimeve tona ujore është përgjegjësi e përbashkët dhe nuk do të lejojmë ndërtime që cenojnë pasuritë tona natyrore. Asnjë ndërtim i paligjshëm në zonat përreth liqeneve nuk do të tolerohet. Ligji do të zbatohet pa përjashtim”, shtoi Pacolli.

Liqeni i Ujmanit, i njohur edhe si “Liqeni i Gazivodës”, është liqeni më i madh artificial në Kosovë dhe një burim i rëndësishëm i ujit për furnizimin e popullsisë, industrinë dhe sektorin e energjisë.

Liqeni i Ujmanit shtrihet në pjesën veriore të Kosovës, përgjatë lumit Ibër ndërsa zonat përreth tij janë përballur ndër vite me ndërtime pa leje dhe ndërhyrje që cenojnë mjedisin dhe sigurinë e zonës ujore.

MARKETING