Gjermani, punëtorët e industrisë së metaleve nisin greva 24-orëshe pas ngecjes së bisedimeve për pagat
Sindikata më e madhe industriale në Gjermani, IG Metall, nisi greva paralajmëruese 24-orëshe, duke përshkallëzuar mosmarrëveshjen për pagat dhe sigurinë e vendeve të punës, pasi tri raunde negociatash përfunduan pa marrëveshje, raporton Anadolu.
Mijëra punëtorë ndërprenë punën në disa zona industriale, përfshirë fabrikat e BMW-së dhe Audi-së në Bavari, kompanitë furnizuese në Baden-Württemberg dhe kantieret detare në Gjermaninë veriore.
Disa ndërprerje të punës nisën gjatë turneve të natës të enjten, ndërsa aksione të tjera sindikale janë planifikuar për fillimin e javës së ardhshme.
Anëtarët e sindikatës që marrin pjesë në grevat njëditore përfitojnë pagesë greve.
IG Metall kërkon rritje pagash prej 5 për qind, si dhe angazhime detyruese për mbrojtjen e vendeve të punës dhe objekteve të prodhimit.
Sindikatа kërkon gjithashtu marrëveshje për ndarjen e fitimeve në kompanitë me gjendje më të mirë financiare dhe përfitime shtesë për punëtorët me paga më të ulëta.
Punëdhënësit kanë propozuar një pagesë të njëhershme në vlerë prej rreth 1 për qind të pagës bruto vjetore në korrik 2027, nga e cila kompanitë që përballen me vështirësi financiare mund të përjashtohen.
Oferta e tyre përfshin gjithashtu një rritje të përhershme të pagave prej 1,3 për qind, duke filluar nga korriku 2028, në kuadër të një marrëveshjeje të propozuar 26-mujore.
– Grevat e para paralajmëruese njëditore në tetë vjet
Marrëveshja kolektive e punës në nivel industrie përfshin rreth 3,7 milionë punëtorë në sektorët e automobilave, inxhinierisë mekanike, industrisë elektrike dhe prodhimit të metaleve në gjithë Gjermaninë.
Sipas IG Metall-it, raundet e mëparshme të grevave më të shkurtra paralajmëruese përfshinë rreth 464.000 punëtorë.
Aksioni i fundit shënon herën e parë në tetë vjet që sindikata organizon greva paralajmëruese njëditore.
Pavarësisht përshkallëzimit të situatës, ende nuk është caktuar raundi i katërt i negociatave.

