Kosovë, “Infrakos” me asistencën e policisë merr nën kontroll stacionet hekurudhore në Zveçan dhe Leposaviq
Infrastruktura e Hekurudhave të Kosovës “Infrakos” me asistencë të zyrtarëve policorë të Kosovës kanë rikthyer mëngjesin e sotëm stacionin hekurudhor në Zveçan dhe atë në Leposaviq tek institucionet kosovare duke vendosur tabela “Infrastruktura Hekurudhore e Kosovës” dhe flamurin shtetëror në këto institucione, transmeton Anadolu.
Zyrtarët policorë në Zveçan kanë deklaruar se kanë asistuar gjatë marrjes në kontroll të ndërtesës së stacionit, ndërsa bëhet e ditur se para objektit vazhdojnë të qëndrojnë disa zyrtarë dhe automjete policore.
Këto hapësira i kanë vizituar ministrat në detyrë të Qeverisë së Kosovës, Dimal Basha, Xhelal Sveçla dhe Artane Rizvanolli.
Sveçla, në një deklaratë për media, tha se bëhet fjalë për marrjen nën kontroll të një tjetër, siç e quajti ai, “institucioni paralel të Serbisë në Kosovë”, duke shtuar se është planifikuar edhe revitalizimi i këtij stacioni.
“Kjo është një nga institucionet e fundit paralele dhe ilegale të Serbisë në Kosovë dhe do të vazhdojmë të veprojmë nëse zbulojmë edhe ndonjë tjetër. Ky objekt do të jetë pjesë e projektit për rindërtimin e të gjithë rrjetit hekurudhor të Kosovës”, theksoi Sveçla.
Po ashtu në një gjë e tillë u bë edhe në Leposaviq, ku u vendos tabela e ndërmarrjes shtetërore dhe flamuri shtetëror në stacionin hekurudhor atje, rreth orës 8 të mëngjesit.
Infrastruktura hekurudhore në Zveçan bën pjesë në Linjën 10 të Korridorit Orient/Lindje-Mesme, që shtrihet nga Hani i Elezit deri në kufi me Serbinë. Stacioni hekurudhor i Zveçanit gjendet në pjesën veriore të Kosovës, por aktualisht segmenti i linjës në këtë zonë (përfshirë pjesën Mitrovicë-Leshak) është jofunksional për shërbimet e udhëtarëve të menaxhuara nga Kosova.

