Konkursi për punësimin e 1,100 infermierëve, laborantëve dhe ndihmësve spitalorë do të shpallet deri në Vitin e Ri
Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari ka deklaruar se deri në fund të vitit do të shpallet konkursi për punësim të në vend të angazhimit aktual me kontratë pune të përkohshme, për rreth 1,100 persona, staf të mesëm mjekësor në institucionet shëndetësore publike të vendit.
Megjithatë, edhe me këtë konkurs, mungesa e stafit të mesëm mjekësor nuk do të mbulohet, pasi ky problem ekziston kudo në vend, sipas të dhënave që ministri Taravari merr në baza javore nga terreni.
“Shpresoj që deri në fund të këtij viti të shpallet konkursi me të cilin do të pranohen pothuajse 1,000 staf të mesëm mjekësor në punë. Këtu nuk përfshihen vetëm infermierët, por edhe ndihmësit spitalorë, laborantët dhe ata që deri tani punonin me kontratë pune të përkohshme. Megjithatë, kjo është ende e pamjaftueshme dhe përsëri do të kemi nevojë për punësime të tjera”, ka deklaruar ministri Taravari, raporton SHENJA.