Konfirmohet përbërja e re – Komisioni i ri i Ursula von der Leyen merr miratimin përfundimtar
Ligjvënësit e Bashkimit Evropian miratuan ekipin e Ursula von der Leyen për mandatin e saj të dytë, pas një procesi mujor që filloi me zgjedhjet evropiane të qershorit përfundoi pas disa javësh përplasjesh politike midis grupeve të majta dhe të djathta të bllokut.
“Gjetja e mënyrave për të punuar me njëri-tjetrin dhe tejkalimi i fragmentimit. Kjo është ajo për të cilën unë dhe të 26 gratë dhe burrat me mua do të përpiqemi çdo ditë. Ne jemi gati të fillojmë punën menjëherë”, ka thënë presidentja e Komisionit Evropian von der Leyen të mërkurën pas votimit, përcjell Telegrafi.
Në fund, ishin votat e kombinuara të grupeve me prirje të djathtë dhe të majtë që lejuan që komisionerët të kalonin “të paprekur”, hera e parë që nga viti 1999 që asnjë kandidat nga vendi për Komisionin nuk u refuzua.
Siç thuhet më tej, 370 anëtarë të Parlamentit Evropian votuan të mërkurën në favor të grupit të ri të krahut të djathtë prej 26 komisionerësh (27 gjithsej duke përfshirë von der Leyen; një nga çdo vend në bllok) për të filluar një mandat pesëvjeçar nga 1 dhjetori.
Ndërkohë, 282 eurodeputetë votuan kundër dhe 36 abstenuan.
Kujtojmë se me rajonin e Ballkanit Perëndimor në pesë vitet e ardhshme pritet që më së shumti të merret komisionarja e ardhshme për zgjerim, Marta Kos, nga Sllovenia, dhe përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas.
Që të dyja, gjatë seancave dëgjimore, kanë premtuar se do të angazhohen që në pesë vjetët e ardhshëm zgjerimi i Bashkimit Evropian të bëhet realitet.
Përbërja e re e Komisionit Evropian ka 14 anëtarë nga Partia Popullore Evropiane (EPP) që është edhe grupi më i madh politikë në Parlamentin Evropian.
Ndërsa liberalët do të kenë 5 anëtarë në Komisionin Evropian, edhe pse kanë shënuar rënie të madhe në zgjedhjet e fundit evropiane duke dalë në pozitën e pestë për nga numri i deputetëve në PE.
Konfirmimi i përbërjes së re të Komisionit Evropian në seancën plenare të së mërkurës ka hapur mundësinë që mandati i ri pesëvjeçarë të nisë të dielën më 1 dhjetor.
Ky mandat do të zgjasë deri në vjeshtën e vitit 2029. Po atë ditë, më 1 dhjetor, do të nisë edhe mandati i presidentit të ri të Këshillit Evropian, Antonio Kosta. /Telegrafi/