Kompletohet projekti 19 vëllimesh “Dyzet Net” i Tefsirit të parë të plotë të Kuranit në gjuhën shqipe nga Prof. Dr. Metin Izeti

Ka përfunduar projekti 19 vëllimesh “Dyzet Net” i Tefsirit të parë të plotë të Kuranit në gjuhën shqipe nga Prof. Dr. Metin Izeti, të botuar nga Sh.B. Logos-A. Në lidhje me këtë ngjarje, autori i 19 vëllimeve, Metin Izeti, ka theksuar se synimi i tij nuk ishte vetëm komentimi, por “shqipërimi” i mesazhit universal, duke u munduar që çdo fjalë të peshojë rëndë në mendjen e lexuesit shqiptar dhe të ndriçojë ëmbël në zemrën e tij.

Postimi i plotë i Prof. Dr. Metin Izetit:

NJË JETË MES RRESHTAVE, NJË AMANET I PËRMBUSHUR

Sot, me përulësi dhe mirënjohje të pafund ndaj Krijuesit, po ndaj me ju një lajm që nuk është thjesht një njoftim botimi, por përmbyllja e një rrugëtimi 20 vjecar.
Me daljen në dritë të gjashtë vëllimeve të fundit me titull “Dyzet Net”, kompletohet tashmë korpusi prej 19 vëllimesh i Tefsirit të parë të plotë të Kuranit në gjuhën shqipe.

– Pse “Dyzet Net”

Titulli i këtij tefsiri, “Dyzet Net”, mbart peshën e pjekurisë dhe të vetmimit krijues. Janë netët ku heshtja e botës takonte zërin e ajetit, ku përpjekja për të zbërthyer thesaret hyjnore bëhej dritë mbi bisedat rreth ajeteve te Kuranit. Ky numër simbolizon rrugëtimin drejt plotënisë – aty ku mundi njerëzor dorëzohet para madhështisë së Fjalës.

Një trashëgimi në gjuhën shqipe

Ky projekt 19-vëllimësh ka qenë maratona e shpirtit tim. Synimi im nuk ishte vetëm komentimi, por “shqipërimi” i mesazhit universal, duke u munduar që çdo fjalë të peshojë rëndë në mendjen e lexuesit shqiptar dhe të ndriçojë ëmbël në zemrën e tij.
* 19 vëllime si dëshmi e qëndresës.
* Mijëra faqe si urë mes të shenjtës dhe të përditshmes sonë.
* Një mision i kryer për gjuhën tonë dhe për brezat që vijnë.
“Lapsi mund të lodhet, por e vërteta që ai shënon mbetet e përjetshme.”

Mirënjohje
Ky udhëtim nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e mikut tim, drejtorit te shtepise botuese Logos- a Prof.dr.Adnan Ismailit dhe stafit te Logosit si dhe miqve dhe bashkëpunëtorëve që ndihmuan ne permasen teknike te ketij projekti. Faleminderit secilit prej jush që me lutje apo me fjalë inkurajuese u bëtë pjesë e ketij projekti.
Librat tashmë i takojnë lexuesit.
U bëfshin dritë për çdo shtëpi shqiptare!

MARKETING