Komanda amerikane ndalon bombarduesit kinezë e rusë që po operonin afër Alaskës

Komanda amerikane ndalon bombarduesit kinezë e rusë që po operonin afër Alaskës

Komanda e Mbrojtjes së Hapësirës Ajrore të Amerikës së Veriut ka gjurmuar dy avionë bombardues rusë dhe dy kinezë që fluturonin afër Alaskës të mërkurën. Një zyrtar i mbrojtjes ka thënë se është hera e parë që dy vendet janë kapur duke vepruar së bashku.

Shënon herën e parë që bombardues H-16, që derivojnë nga bombarduesit më të vjetër sovjetikë, kanë hyrë në këtë hapësirë.

Pengimi i këtyre avionëve u bë nga avionët luftarakë të SHBA-së F-16 dhe F-35 si dhe ata kanadezë CF-18. Avionë mbështetës ishin në gatishmëri po ashtu.

Aktiviteti ushtarak kinez dhe rus të mërkurën nuk është parë si kërcënim, ka thënë Komanda e Mbrojtjes së Hapësirës Ajrore e Amerikës së Veriut, e njohur si NORAD.
“NORAD do të vazhdojë ta monitorojë aktivitetin afër Amerikës së Veriut”, thuhet në deklaratën e komandës, raportoi AP.

Ndërsa ushtria ruse prej kohësh ka qenë aktive në Paqësorin verior, Kina është shfaqur si akter i ri vitet e fundit. Anijet e marinës kineze janë shfaqur në ujërat ndërkombëtare afër Alaskës nga mesi i korrikut.

Në rastin e fundit, avionët rusë dhe kinezë po fluturonin në Zonën e Identifikimit të Mbrojtjes Ajrore të Amerikës së Veriut, një zonë përtej hapësirës ajrore të SHBA-së dhe Kanadasë ku kërkohet identifikimi i avionëve para aktivitetit të tyre për arsye të sigurisë kombëtare.

MARKETING