Kolumnisti serb: Në shkolla mësojmë se shqiptarët janë fis i egër, mes kafshës e njeriut – pse të jetojnë ata me neve?

Kolumnisti serb: Në shkolla mësojmë se shqiptarët janë fis i egër, mes kafshës e njeriut – pse të jetojnë ata me neve?

Dejan Iliq, kolumnisti i OJQ-së me bazë në Beograd “Pescanik”, me rastin e 100 ditëshit të Qeverisë serbe, tha se në këtë vend “nuk ka as qeveri, as institucione, as asgjë”.

Sa i përket deklaratës së kryeministres serbe Ana Bërnabiq se 100 ditët e qeverisjes kaluan nën hijen e tensioneve në Kosovë, ai thotë se “ne kemi 30 vjet që jetojmë nën hijen e tensioneve në Kosovë, çfarë 100 ditë të zeza”.

Ai beson se serbët në Kosovë duhet të përpiqen të jetojnë vetëm dhe tha se “ne duhet të merremi me veten”. “Ndoshta serbët në Kosovë duhet të çlirohen nga Beogradi dhe jo nga Prishtina”.

Iliq iu referua edhe situatës në Kosovë, duke thënë se “në shkolla u mësojmë fëmijëve se shqiptarët janë një fis i egër, njëfarë mesi mes kafshëve dhe njerëzve dhe tani këta njerëz duhet të jetojnë me ne, pse të jetojnë me ne”.

“Thoni atyre njerëzve të përpiqen të jetojnë vetëm dhe ne duhet të merremi me veten”, beson ai.

Kolumnisti serb thekson se presidenti Aleksandar Vuçiq qeveris Serbinë dhe se shumë gjëra këtu varen nga ai, sepse ai e themeloi një sistem të tillë dhe ai “për 11 vjet i shmanget çdo detyrimi, jeton jashtë krizës, krijon spektakle të ndryshme që asgjë të mos zgjidhet”.

“Në momentin që zgjidh krizën, ai është i radhës që zgjidhet”, vlerëson ai dhe shton se ai është në vendin ku është pikërisht falë atyre krizave.

Iliq, i pyetur nëse Vuçiqi e ka pranuar planin e ri evropian, thotë se “i çuditur i shikon bisedimet për atë marrëveshje”.

“Ajo marrëveshje nuk është asgjë e re, aty shkruan çfarë ka qenë në tavolinë gjatë gjithë këtyre viteve”, thotë ai dhe shton se nuk do të zgjidhë asgjë, sepse aty nuk përmendet njohja e Kosovës dhe flitet paqartë për hyrjen e Kosovës në institucionet ndërkombëtare, duke mos specifikuar cilat.

Ai vlerëson se “nuk ka asgjë të diskutueshme në atë marrëveshje, çdo njeri i arsyeshëm do ta pranonte dhe do të thoshte ‘është e vlefshme, të vazhdojmë tutje’”.

“Kishte një dramë për këtë. Ai (Vuçiqi) nuk do të marrë kurrë përgjegjësi për asgjë, nuk do të nënshkruajë asgjë”, thekson Iliq.

Ai shton se edhe nëse Kosova bëhet shtet, asgjë nuk do të ndodhë, por kjo marrëveshje nuk e përmban as këtë çështje.

Sa i përket spekulimeve për hyrjen e Kosovës në OKB, ai vlerëson se çështja nuk ka të bëjë me Serbinë, “varet nga Rusia dhe Kina dhe ato nuk kanë asnjë arsye për momentin të bashkërendohen me Kosovën”.

Ai beson se, siç kanë deklaruar shumë në hapësirën publike, Vuçiqi dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti nuk janë njësoj, sepse i duket se Kurti me të vërtetë dëshiron ta zgjidhë këtë problem, “në mënyrë paksa agresive”.

Iliq gjithashtu thotë se “nuk ka shumë respekt për përfaqësuesit nga bota që vijnë tek ne, nuk më ushqejnë asnjë besim”.

MARKETING