Kolonët izraelitë pështyjnë një klerik të krishterë në Kudsin Lindor të pushtuar

Kolonët izraelitë pështyjnë një klerik të krishterë në Kudsin Lindor të pushtuar

Një klerik i krishterë ishte pre e një sulmi të ri nga kolonët izraelitë, të cilët e pështynë para policisë në Kudsin Lindor të pushtuar, siç shihet në një video të publikuar të enjten, transmeton Anadolu.

Pamjet e publikuara nga transmetuesi publik izraelit KAN në platformën amerikane X tregojnë një grup kolonësh të krahut të djathtë duke pështyrë dhe duke sharë në hebraisht klerikun e krishterë në Qytetin e Vjetër të Kudsit. Policët izraelitë qëndronin aty pranë pa ndërmarrë asnjë veprim për t’i ndaluar.

KAN raportoi gjithashtu për disa sulme të tjera ndaj banorëve të qytetit gjatë ditës.

Sulmet ndodhën pak para marshit të planifikuar me flamuj nga kolonët izraelitë nëpër Kudsin Lindor për të shënuar pushtimin e qytetit në vitin 1967.

Ky marsh shpesh shoqërohet me sulme ndaj pronave palestineze dhe thirrje si “Vdekje arabëve”.

Kudsi Lindor ka dëshmuar muajt e fundit disa sulme ndaj klerikëve të krishterë dhe vendeve të shenjta nga kolonët izraelitë.

Patrikanat e Kudsit kanë paralajmëruar vazhdimisht për “sulme sistematike” kundër të krishterëve në qytetin e pushtuar.

Palestinezët thonë se Izraeli ka intensifikuar prej dekadash përpjekjet për ta judaizuar Kudsin Lindor, përfshirë Xhaminë Al-Aksa, dhe për të fshirë identitetin arab dhe islam të qytetit.

Palestinezët e konsiderojnë Kudsin Lindor si kryeqytetin e shtetit të tyre të ardhshëm, duke iu referuar rezolutave ndërkombëtare që nuk e njohin pushtimin izraelit të qytetit në vitin 1967 dhe as aneksimin e tij në vitin 1980.

MARKETING