Klopp, pas turpërimit 3-0 të Liverpool-it në shtëpi: Atalanta e meritoi fitoren, luftoi për çdo top

Klopp, pas turpërimit 3-0 të Liverpool-it në shtëpi: Atalanta e meritoi fitoren, luftoi për çdo top

Në mikrofonat e “TNT Sports”, Jurgen Klopp komentoi humbjen e rëndë 3-0 të Liverpool-it të tij në “Anfield”, ndaj Atalantës, në Ligën e Europës: “Nuk ka asgjë pozitive për të thënë për këtë ndeshje, për fat të keq. Fillimi ishte i mirë, por ishim të pafat me Harvey, që goditi traversën dhe shtyllën. Në atë moment e meritonim 100% të ishim në epërsi.

Më pas rasti i Nunez erdhi në një tjetër moment të mirë. Në një moment u bë një ndeshje vërtet negative, prandaj them se nuk ka asgjë pozitive për të thënë. Nuk më pëlqeu qëndrimi ynë në zotërim të topit, ishim kudo që do të thotë se nuk ishim askund. Nuk kishte kundërpresing, e lamë lojën në duart e kundërshtarit.

Tani pres një reagim të menjëhershëm të dielën, kjo është gjëja më e rëndësishme. Jam shumë i hidhëruar, djemtë duhet të shkojnë në shtëpi dhe të pushojnë. Kur të shihemi nesër, do të fillojmë të flasim për Crystal Palace, do të shohim se kush mund të luajë. Nuk e kuptoj se si mund të luanim kështu sonte, por ndonjëherë ndodh. Në shumë momente lojtarët dukeshin të vetëm, nuk kishin kujt t’ia kalonin topin”.

Duke hyrë më në detaje të lojës, trajneri gjerman shtoi: “Në ndeshje u futëm shumë mirë, u vendosëm mirë në fushë, Cody Gakpo fitoi disa situata ballë për ballë, duke i shpëtuar presingut të tyre, më pas nuk shënuam me goditjen kros të Elliott. Që atëherë u bë një ndeshje e keqe, nuk u lidhëm në mënyrën e duhur, nuk pati asgjë pozitive në pjesën e mbetur të lojës. Atalanta e meritoi të fitonte, luftoi për çdo top, ishte kompakte në mbrojtje”.

Për kontributin e publikut: “Anfield është Anfield, kur ka diçka për të pushtuar, por ne nuk dhamë asgjë. Në fillim të ndeshjes bëmë mirë, pastaj erdhën situatat negative njëra pas tjetrës. Tifozët bënë të tyren, ndërsa ne jo. Kjo është e gjitha”.

Në futboll kemi parë shumë përmbysje të paharrueshme: “Tani për tani nuk kam energji të mendoj për ndeshjen e kthimit. Është e qartë se do të shkojmë atje për ta fituar ndeshjen e kthimit. Atalanta di të mbrojë mirë, do të luajë në shtëpi, ndaj do të jetë shumë e vështirë për ne. Le të fillojmë të mendojmë për të dielën në Premier League, më pas do t’i kthejmë sytë nga kthimi me Atalantën”.

MARKETING