Kirurgu nga Manastiri dyshohet se mori ryshfet nga pacienti, Prokuroria kërkon paraburgim
Prokuroria Themelore Publike në Manastir ka iniciuar një procedurë hetimore ndaj një personi, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Marrje Ryshfeti”.
Dyshimet bazohen në faktin se më 27 janar, i dyshuari, një mjek kirurg në Repartin e Kirurgjisë të Spitalit Klinik “Dr. Trifun Panovski” në Manastir, ka realizuar një operacion për fshikëzën e tëmthit te një pacient. Pas kryerjes së intervenimit, ai ka kërkuar nga djali i pacientit, në mënyrë të tërthortë, një shpërblim prej 150 eurosh për shërbimin e ofruar. Djali i pacientit ka dorëzuar tre kartëmonedha prej 50 eurosh secila, të vendosura në një zarf, në ambientet e spitalit.
Pas marrjes së parave, autoritetet e Sektorit për Punë të Brendshme në Manastir kanë realizuar bastisjen e dyshuarit dhe kanë sekuestruar shumën e parave të përfituara ilegalisht.
Prokurori publik, pas hetimeve, ka propozuar caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin, duke e argumentuar këtë kërkesë me rrezikun e mundshëm të arratisjes. Propozimi i është dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake për shqyrtim.