Kirby: Grupi Wagner i lidhur me Korenë e Veriut
Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se Departamenti i Thesarit do ta përcaktojë grupin Wagner, si një Organizatë Kriminale Ndërkombëtare.
“Sigurisht që ne tashmë ishim duke sanksionuar thellësisht Rusinë në të gjitha sferat dhe disa nga këto sanksione dhe kontrolle të eksportit që ne i dimë, gjithashtu në mënyrë të tërthortë kanë patur një efekt mbi kontraktorët privatë ushtarakë si Wagner-i, por ky klasifikim e vë me të vërtetë në shënjestër në mënyrë specifike Wagner-in dhe departamenti i Thesarit do të ketë më shumë hollësi për këtë javën e ardhshme. Ajo që bën ky klasifikim është se bllokon dhe parandalon transferimin e parave për grupin Wagner nga çdo entitet në SHBA. Dhe kjo mund të çojë në masa shtesë nga vendet e tjera tani që ne po e bëjmë një gjë të tillë”.
Shtetet e Bashkuara ndanë të premten me grupin e ekspertëve të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Sanksionet kundër Koresë së Veriut, prova të furnizimit me armë nga Koreja e Veriut për grupin Wagner, të cilat përdoren në luftën kundër Ukrainës.
“Gjëja më e rëndësishme është të përpiqemi të ndalojmë këtë fluks mbështetjeje nga Koreja e Veriut për Rusinë. //Ne u bëjmë thirrje atyre që të ndalojnë menjëherë këtë aktivitet sepse ata po shkelin rezolutat ekzistuese të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. //Koreano-veriorët thjesht kanë gënjyer haptazi për mbështetjen e tyre ndaj Rusisë. Thjesht thanë se nuk po e bëjnë. Ata pretendojnë se nuk kanë asnjë lidhje me ta. Dhe sot, ne menduam se ishte e rëndësishme që në lidhje me diskutimet tona në OKB të jepnim prova të vërteta se në fakt, ata po e mbështesin Rusinë me armë dhe municione”, tha zoti Kirby.
Koordinatori i Këshillit të Sigurisë Kombëtare për Komunikime Strategjike pranë Shtëpisë së Bardhë, John Kirby i tha Zërit të Amerikës se mosmarrëveshjet mes aleatëve për të dërguar tanke mbrojtëse në Ukrainë nuk kanë krijuar asnjë thyerje të mbështetjes të aleancës për Kievin.
“Aleanca mbetet shumë, shumë solide në mbështetje të Ukrainës. Para së gjithash, unë nuk do ta përshkruaj këtë si një ngërç. Dua të them, këto janë diskutime të vazhdueshme, përsëritëse që ne kemi me të gjithë aleatët dhe partnerët tanë për ndihmën që ata mund të ofrojnë dhe në çfarë shkalle. Këto janë vende sovrane, ata duhet të vendosin sepse duhet të kenë parasysh nevojat e tyre të sigurisë kombëtare, ashtu si ne. Por, aleanca ka qenë jashtëzakonisht e qëndrueshme dhe mbështetëse ndaj Ukrainës, dhe ne nuk shohim që kjo të ndyshojë”.
Duke pranuar se i takon Gjermanisë të marr vendimin nëse do të lejojë furnizimin e Ukrainës me tanke të tipit Leopard zoti Kirby shtoi se kontributi i Gjermanisë ka ardhur duke u shtuar.
“Gjermania ka rritur kontributet e saj megjithëse ishte qysh në fillim të luftës, një nga kontribueset kryesore financiare në botë për Ukrainën për sa i përket ndihmës financiare. Dhe ata sigurisht gjatë disa muajve të fundit kanë rritur gadishmërinë dhe vullnetin për të ofruar mbrojtje të avancuar. Dhe kjo është vlerësuar thellësisht nga të gjithë”, tha zoti Kirby për Zërin e Amerikës./ VOA