Kina hedh poshtë pretendimet e NATO-s për furnizimin e Rusisë me armë vdekjeprurëse

Kina hedh poshtë pretendimet e NATO-s për furnizimin e Rusisë me armë vdekjeprurëse

Pekini ka kritikuar pretendimet e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg se Kina mund të sigurojë armë vdekjeprurëse për Rusinë në luftën e Ukrainës, transmeton Anadolu.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, Wang Wenbin në një konferencë për media tha se SHBA-ja dhe vendet e NATO-s janë burimi më i madh i armëve të luftës në Ukrainë dhe akuzoi Stoltenbergun se “Po njollos në mënyrë të padrejtë Kinën”.

Ai theksoi se Kina ka qëndruar gjithmonë në anën e paqes në problemin e Ukrainës dhe me një qëndrim të paanshëm dhe objektiv ka nxitur bisedimet për paqe. “Dihet mirë që SHBA-ja dhe vendet e NATO-s janë burimi më i madh i armëve të luftës në Ukrainë. Teksa situata është e tillë, pretendojnë se Kina do të sigurojë armë. Në fillim të luftës tentuan të bëjnë një numër të ngjashëm, por e kuptuan se ishte e gabuar”, tha Wenbin.

Wenbin mbrojti idenë e tij se NATO në njërën anë pretendon se është aleancë e mbrojtjes rajonale ndërsa në anën tjetër duke tejkaluar gjeografikisht kufijtë përpiqet të krijojë tensione dhe ndarje.

“Roli i NATO-s në krizën në Ukrainë është parë nga komuniteti ndërkombëtar. NATO duhet të ndalë njollosjen me spekulime të pabaza ndaj Kinës dhe duhet të bëjë gjëra konkrete për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Evropës dhe në botë”, potencoi ai.

Kreu i NATO-s, Stoltenberg dje në një konferencë të përbashkët për media pas takimit me ministrin e Jashtëm të Ukrainës, Dmytro Kuleba deklaroi se “Jemi gjithnjë e më të shqetësuar se Kina do të ofrojë në luftë mbështetje ‘vdekjeprurëse’ për Rusinë”.

Gjithashtu edhe sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken më 19 shkurt në një intervistë për televizionin e vendit të tij CBS, pretendoi se inteligjenca amerikane ka marrë informacione se Kina po vlerëson të sigurojë armë dhe municione për Rusinë për ta mbështetur në luftën në Ukrainë.

Blinken ka mbrojtur idenë se kompanitë kineze aktualisht sigurojnë mbështetje në llojin “jo vdekjeprurëse” për industrinë e mbrojtjes së Rusisë por se informacionet e reja tregojnë se Pekini mund të sigurojë armë dhe municione në cilësinë e drejtpërdrejtë ‘vdekjeprurëse’. “Sigurimi i armëve për Rusinë nga Kina shkakton problem serioz në marrëdhëniet tona”, tha Blinken.

MARKETING