Kimi Antonelli hyn në histori, shpallet kampion bote në Formula 1 në Meksikë
Kimi Antonelli është kampioni i ri i botës në Formula 1, duke shkruar historinë si piloti më i ri që fiton titullin më të rëndësishëm të automobilizmit. Piloti 20-vjeçar i Mercedesit siguroi kurorëzimin në Çmimin e Madh të Meksikës, ku përfundoi në vendin e tretë, pas fituesit Max Verstappen dhe Lewis Hamilton.
Antonelli thyen rekordin e Sebastian Vettel, i cili qëndronte që prej vitit 2010, ndërsa siguronte titullin me pesë gara ende për t’u zhvilluar deri në përfundimin e kalendarit aktual. Italiani zhvilloi një garë të kujdesshme dhe inteligjente, duke menaxhuar mirë strategjinë dhe ndalesën në bokse. Ai arriti të merrte përkohësisht kryesimin në mesin e garës, pasi ishte piloti i fundit që kreu pit stopin, në xhiron e 44-t.
Gara në Meksikë ishte e mbushur me incidente dhe momente tensioni. Max Verstappen mori fitoren e tretë sezonale, pas sukseseve në Sepang dhe Singapor. Një ndërprerje me flamur të kuq ndodhi në xhiron e 46-të, pas një aksidenti të Valtteri Bottas, makina e të cilit pësoi një dëmtim. Fatmirësisht, piloti finlandez i Cadillac nuk pësoi lëndime.
Pas rifillimit të garës, Verstappen ruajti vendin e parë përballë sulmeve të Hamiltonit, ndërsa më vonë u aktivizua makina e sigurisë pas kontaktit mes Oscar Piastri dhe debutuesit Arvid Lindblad.
Në podium, Antonelli festoi titullin e tij historik përkrah Verstappen dhe Hamilton, tre pilotë që kanë fituar së bashku 12 tituj botërorë.
Charles Leclerc u rendit i katërti, duke humbur mundësinë për të qenë në podium. Piloti i Ferrarit u penalizua me pesë sekonda pasi doli jashtë pistës në kthesën e katërt gjatë xhiros së parë, në përpjekje për të kaluar shokun e skuadrës, Hamiltonin, i cili ishte nisur nga pole position.
Lando Norris, kampioni në fuqi, e përfundoi garën në vendin e pestë me McLaren, duke ia dorëzuar Antonellit kurorën botërore. Ndërkohë, George Russell pati një garë për t’u harruar, duke u renditur i gjashti pas një nisjeje të dobët dhe një penalizimi prej 10 sekondash për kontakt me Isack Hadjar.

