Kim Mehmeti: Spakistani dhe spakistanezët!

Kim Mehmeti: Spakistani dhe spakistanezët!

Nga Kim Mehmeti

Tri dekada me radhë Shqipëria nuk ia doli të konsolidohet si shtet institucionalë dhe i së drejtës, duke mbetur kështu atë që ishte edhe në kohën e Enverit: shtet që i takon partisë, me popullin në të që i shërben sunduesit.

Dhe duke qenë shoqëri e cila nuk pati guxim të përballet me të shkuarën e vet komuniste, duke mbet pra shtet i ‘bashkëfajtorëve dhe bashkëvuajtësve’ të ardhur nga koha komuniste, Shqipëria shumë shpejt ra në duart e pasardhësve të ‘xhelatëve’ që e mbajtën gjallë regjimin më antishqiptarë – atë të Enverit.
Ndërkohë, të huajt, mbase edhe gabimisht, nisën të binden se Shqipëria nuk ka potencialë të mjaftueshëm shtetformues, andaj duhej atë bërë ‘protektorat’, por të një lloji krejt tjetër.

Duke e ditur se shtetin e drejton ai që e kontrollon gjyqësorin e tij, të huajt vendosën që mëmëdheut tonë t’ia reformojnë drejtësinë dhe kështu atë ta ‘pushtojnë’ nëpërmjet SPAK-ut. Gjë që nuk do ia dilnin ta bënin pa bashkëpunuar me kryehajdutët e ‘Rilindjes’, të cilëve mbase u ishte premtuar ‘amnisti’?
Dhe kështu Shqipëria u bë ‘Spakistanë’ me në krye Piktorin e ‘Rilindjes’, i cili tani më as vetë nuk e dinë nëse ai e kontrollon SPAK-un apo SPAK-u e ka nën kontroll atë.

Kështu pra u qartësua se në ç’mënyrë SPAK-u do e pastrojë ‘Spakistanin’ nga politikanët vendorë, por jo edhe si do mundet ky vend të ‘çlirohet’ nga ‘spakianët’ atë ditë kur do vendosë sërish të bëhet Shqipëri?
Siç u qartësua se drejtuesin e Partisë Demokratike pa vulë nuk e dëmtuan gjithaq armiqtë e tij të ‘Rilindjes’, sa disa mbrojtës të tij, të cilët tri dekada me radhë i mbetën ‘besnik’ dhe nuk e lanë vetëm, po jo pse ishin të besës, por pse e dinin se pa të nuk do mund ta zhvatnin Shqipërinë dhe që moti do ishin vetëm kufoma politike.

Dhe ndërkohë tri dekada me radhë, shumica e vëllezërve tanë të mëmëdheut – njësoj si edhe gjatë dekadave enveriste – u mbetën besnik partive dhe pushtetarëve, por jo edhe shtetit, me çka dëshmuan sa nuk e kanë kuptuar se demokracia është përrallë e bukur për t’i vënë në gjumë fëmijët nëse ajo shërben për t’u pasuruar politikanët e për t’u varfëruar shteti e populli.
Pra tri dekada me radhë shqiptarët e mëmëdheut ose shtireshin, ose me të vërtet nuk e dinin se aty ku nuk ka moral, nuk të vlen gjë ligji dhe vota, se demokraci është edhe kur dy budallenjtë e mbivotojnë një të mençur si dhe, kur një i pasur blenë me mija votues, por jo edhe kur një votues ‘kushton’ më lirë se një dele.

Duke qenë se shqiptarët e mëmëdheut thuajse të gjitha ua lanë në duar hajdutokratëve, të cilët ditën e zhvatnin e natën popullit ia rrënonin Teatrin Kombëtarë dhe mbëmendjen për të shkuarën, ata edhe janë bashkëfajtorë pse Shqipëria u bë ‘Spakistan’ e ata ‘spakistanezë’.

Me çka ne shqiptarët jashtë kufijve të Shqipërisë mbetem atë që ishim edhe në kohën e Enverit: si popull pa mëmëdhe!

MARKETING