Khamenei: Kisha qëndrim ndryshe për marrëveshjen me SHBA-në, por e autorizova pas garancive nga presidenti

Khamenei: Kisha qëndrim ndryshe për marrëveshjen me SHBA-në, por e autorizova pas garancive nga presidenti

Udhëheqësi Suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, tha të enjten se personalisht ka pasur një “qëndrim ndryshe” lidhur me nënshkrimin e memorandumit të mirëkuptimit me SHBA-në, por e ka autorizuar atë pasi ka marrë garanci nga presidenti Masoud Pezeshkian dhe zyrtarë të lartë, duke theksuar se çdo negociatë e drejtpërdrejtë në të ardhmen nuk do të nënkuptojë pranimin e “qëndrimit të armikut”, transmeton Anadolu.

Në një mesazh të publikuar nga mediat iraniane, Khamenei ka thënë se Pezeshkian dhe homologu i tij amerikan Donald Trump e nënshkruan memorandumin pasi autoritetet bënë përpjekje të gjera për të arritur në këtë fazë “nga dhembshuria dhe vullneti i mirë”, duke shtuar se edhe Trump kishte përdorur “të gjitha mjetet e disponueshme” për ta çuar përpara procesin.

“Në thelb, unë kisha një qëndrim ndryshe”, ka thënë Khamenei. “Por duke pasur parasysh angazhimin e presidentit të nderuar, në cilësinë e tij si kryetar i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare, dhe të anëtarëve të tjerë për të mbrojtur të drejtat e popullit iranian dhe Frontit të Rezistencës, si dhe pranimin e përgjegjësisë prej tyre, unë dhashë lejen time”, ka deklaruar lideri iranian.

Ai ka shtuar se presidenti Pezeshkian i kishte bërë të qartë se Irani nuk do të toleronte kërkesa të tepruara nga pala amerikane.

“Nga ky moment e tutje, ne — kombi i madh iranian dhe ky shërbëtor i përulur — do të presim përmbushjen e këtyre kushteve”, ka thënë Khamenei.

“Është e qartë se çdo negociatë e drejtpërdrejtë që do të zhvillohet në të ardhmen (me SHBA-në) nuk do të nënkuptojë pranimin e qëndrimit të armikut”, ka theksuar ai.

MARKETING