Katër raste të vdekjeve, 36 të konfirmuara dhe dy raste të mundshme të etheve të Nilit Perëndimor në vend
Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, ka njoftuar se deri më 18 gusht në vend janë regjistruar 38 raste të etheve të Nilit Perëndimor, prej të cilave 36 të konfirmuara dhe dy të mundshme.
Nga rastet e regjistruara, 37 janë në rajonin e Shkupit dhe një në Veles. Katër persona kanë humbur jetën nga forma neuroinvazive e sëmundjes, ndërsa gjatë javës së fundit janë raportuar 12 raste të reja dhe tre vdekje.
Pas shpalljes së epidemisë në komunat Kisella Voda, Gazi Baba, Aerodrom dhe Butel, autoritetet kanë intensifikuar masat për kontrollin e mushkonjave, përfshirë dezinfektimin larvicid dhe adulticid në disa zona të prekura.
Ndërkohë, autoritetet kanë nisur edhe një fushatë SMS për informimin e qytetarëve. Rreth 38,500 mesazhe do t’u dërgohen banorëve të zonave të prekura me këshilla për mbrojtjen nga pickimet e mushkonjave.
Qytetarëve u bëhet apel të largojnë ujin e ndenjur, të përdorin rrjeta mbrojtëse dhe repelentë, si dhe të shmangin qëndrimin jashtë në agim dhe muzg. Në rast të temperaturës së lartë, dhimbjes së kokës apo qafës së ngurtësuar, rekomandohet të kërkohet menjëherë ndihmë mjekësore.

