Kapiteni i Turqisë në hendboll gjendet i vdekur nën rrënoja me të birin pesëvjeçar
Bota e hendbollit është tronditur të martën me lajmin se kapiteni i Përfaqësueses së Turqisë, Cemal Kutahy është gjetur i vdekur nën gërmadha së bashku me të birin e tij, Çinarin pesëvjeçar.
Lajmi është konfirmuar edhe nga Federata e Hendbollit të Turqisë, e cila ka njoftuar se kërkimet po vazhdojnë për gruan e tij shtatzëne. Kutahy 32-vjeçar ka jetuar në qytetin Antakya, i cili është goditur nga tërmeti i fuqishëm në fillim të javës së shkuar.
“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për vdekjen e të dashurit tonë Cemal Kutahy, kapitenit të kombëtares sonë dhe djalit të tij Çınar. Ata u gjetën nën rrënojat e shtëpisë ku jetonin në Antakya”, shkroi federata turke dhe shtoi: “Zoti e mëshiroftë të ndjerin dhe djalin e tij. Ngushëllimet tona për të afërmit e të ndjerit dhe komunitetin e hendbollit”.
Ndërkohë, kërkimet po vazhdojnë për gruan e tij, Pelin dhe vjehrrën Nurten, të cilat janë ende nën rrënoja.
“Ato janë në të njëjtën gërmadhë, shpresojmë se do të gjenden të gjallë”, shtoi federata.