Kamberi, lojtari i derbit të Zuerichut

Kamberi, lojtari i derbit të Zuerichut

Lindrit Kamberi kishte shkëlqyer te Zuerichu vitin e kaluar në fitoren 2:1 në ndeshjen më të zjarrtë të futbollit zviceran, atë ndaj Grasshopperit. Kamberi shkëlqeu edhe këtë fundjavë në derbin e 286-të të qytetit, duke shënuar tjetër gol.

Por goli i tij në ndeshjen e xhiros së dhjetë të Superligës së Zvicrës, ishte dukshëm më i mirë. Kamberi gjuajti fuqishëm nga distanca në minutën e 32-të për t’i ngritur në këmbë tifozët e Zuerichut që ishin në numër shumë të madh. Ndeshja u zhvillua para afro 20 mijë tifozëve në stadiumin “Letzigrund”.

“Edhe në sezonin e kaluar kam shënuar gola. Por kualiteti im është më shumë prej gjuajtjeve të lira. Më erdhi rasti dhe e shënova këtë gol në derbi nga largësia”, thotë ai.

Me këtë fitore, Zuerichu vazhdon kryesimin në tabelë. Ka 21 pikë, një më shumë se Servette. Kampioni në fuqi, Young Boysi, ka 12 pikë më pak.
Për mbrojtësin Kamberi, derbi ndaj Grasshopperit mbetet gjithmonë prej ndeshjeve më emocionuese.

“Ishte një lojë shumë e rëndësishme për ne, e sidomos për lojtarët vendës nga Zuerichu. Ne ndihemi shumë krenarë që luajmë për Zuerichun pasi tregojmë se çfarë roli luan ky derbi edhe për tifozët. Prandaj kemi shumë emocione dhe duam patjetër ta fitojmë derbin e qytetit. Loja ishte shumë intensive, por ne kemi pasur më shumë raste për të shënuar dhe me meritë dolëm fitues”, ka thënë Kamberi të dielën për KOHËN.

Kamberi, që luan në disa pozita në mbrojtje e ndonjëherë edhe në mesfushë, është i lindur në Zvicër. Është zhvilluar si futbollist te të rinjtë e Zuerichut, prandaj e përjeton më shumë derbin me Grasshopperin. Ka luajtur huazim për Wilin dhe Winterthurin. Ekipit të parë Zuerichut iu bashkua në vitin 2021.

Te Zuerichu për një kohë ka punuar edhe me selektorin e Kosovës, Franco Foda. Foda ishte emëruar trajner i Zuerichut në qershor të vitit 2022.

25-vjeçari Kamberi ka luajtur për grupmoshat U19 e U20 të Zvicrës, por ende nuk është paraqitur për ndonjë përfaqësuese seniore. Megjithatë, mbetet opsion për Kosovën. Ai është pyetur nëse do të ishte i gatshëm ta përfaqësonte Kosovën.

“Unë jam i gatshëm të luajë edhe për nivele të larta. I kam shfaqur aftësitë e mia dhe e di se çfarë mund të bëj e çfarë kualitete kam. Diçka zyrtare nuk kam ende, por jam i gatshëm”, ka deklaruar Kamberi.

Kamberi në edicionin aktual ka zhvilluar 11 ndeshje në Superligën e Zvicrës, në kualifikimet e Ligës së Konferencës dhe në Kupën e Zvicrës. Synimet i ka që të zhvillohet edhe më shumë si lojtar.

“Personalisht dua të zhvillohem edhe më shumë dhe të shkoj në nivelet më të larta. Me Zuerichun besoj se kemi shanse për titull sepse kemi shumë kualitet në ekip dhe gjithçka është e mundur”, ka deklaruar ai.

Zuerichu është 13 herë kampion i Zvicrës. Titullin e fundit e fitoi në edicionin 2021/22.

Në atë edicion përveç Kamberit janë paraqitur edhe Fidan Aliti, Mirlind Kryeziu, Blerim Xhemaili dhe Bledian Krasniqi. Kryeziu e Krasniqi vazhdojnë të aktivizohen te kjo skuadër./ Kohanet

MARKETING