Ka ndërruar jetë foshnja nëntëmuajshe me tuberkuloz, e cila u soll në gjendje të rëndë në Klinikën për Fëmijë

Ka ndërruar jetë foshnja nëntëmuajshe e cila më 24 shkurt nga Kumanova është sjellë në Klinikën për Fëmijë në Shkup në gjendje të rëndë shëndetësore. Pas pranimit në klinikë, ku është transferuar në Spitalin në Kozle, është vendosur në ventilim mekanik. Foshnja është pranuar me dobësim të funksionit të mushkërive të bardha, pas çka është konstatuar se ka sëmundje infektuese tuberkuloz, njofton Portalb.mk.

Sipas shkrimeve në disa media, nëna e foshnjës vitin e kaluar disa muaj është mjekuar nga tuberkulozi në Institutin e Sëmundjeve të Mushkërive të Bardha, por pastaj fare nuk ka shkuar në kontroll, as ka kërkuar ndihmë për foshnjën e saj. Pasi që është zbuluar se foshnja është e sëmurë prej tuberkulozit, nëna e saj sërish është hospitalizuar në Institut, ndërkaq tre fëmijët e saj të mitur janë ftuar në Spitalin Kolze që t’u bëhen kontrolle epidemiologjike që të konstatohet nëse edhe ata kanë tuberkuloz.

Nga Instituti në Kozle informuan se sipas testimeve të para edhe katër anëtarët e tjerë të familjes janë të infektuar me tuberkuloz, por kjo nuk do të thotë se janë të sëmurë pasi që janë në gjendje të mirë shëndetësore.

“Ky test pozitiv nuk nënkupton se janë të sëmurë, domethënë janë të infektuar, ndërkaq më tej nga analizat tjera do të varet nëse këta fëmijë do të vendosen në terapi mbrojtëse që të mos zhvillohet sëmundje aktive ose do t’i mjekojmë si sëmundje e tuberkulozit”, deklaroi udhëheqësja e Sektorit për Tuberkuloz në ISHP Instituti Kozle, dr. Katerina Boshkovska.

Autoritetet shëndetësore shprehën habi pse foshnja nuk është sjellë në sistemin shëndetësor, pasi që nuk ka pasur të dhëna kur dhe ku është mjekuar dhe pse familja fare nuk është evidentuar si rast social. Drejtoresha e Klinikës për Fëmijë, Stoja Naceva Fushtiq, në deklaratë për media disa ditë tha se nuk ka nevojë për panik në lidhje me infektimin pasi që tanimë foshnja e vdekur, menjëherë pas pranimit është izoluar dhe për atë është kujdesur personel i veçantë mjekësor.

Çdo i sëmurë me formë aktive të sëmundjes, nëse nuk dëshiron të mjekohet, mund të infektojë 10-15 persona. Ajo quhet edhe sëmundje e të varfërve dhe më së shpeshti infektohen persona të rinj në periudhën e produktivitetit.

MARKETING