Japonia regjistroi numrin më të vogël të lindjeve në vitin 2022

Japonia regjistroi numrin më të vogël të lindjeve në vitin 2022

Japonia vitin e kaluar regjistroi rënien më të madhe të lindjeve të reja, zbuluan sot të dhënat e qeverisë, transmeton Anadolu.

Numri i foshnjave ra nën 800 mijë për herë të parë që nga fillimi i regjistrimeve në 1899, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë.

Gjithashtu, ky ishte viti i shtatë radhazi që numri i foshnjave të sapolindura në vend ka vazhduar të bjerë.

Numri i lindjeve shënoi rënie me 5,1 për qind në 799.728, tregojnë të dhënat.

“Pa përfshirë fëmijët e lindur nga prindër të huaj, numri i përafërt i lindjeve vlerësohet të jetë rreth 770 mijë”, sipas të dhënave.

“Ndryshimet e stilit të jetesës që rezultojnë nga pandemia e zgjatur COVID-19 dhe trendi në rritje i njerëzve që martohen më vonë mendohet se kanë përkeqësuar shkallën në rënie të lindjeve”, tha Kyodo News me bazë në Tokio.

Numri i vdekjeve vitin e kaluar “kapi një rekord prej 1.582.033, duke u rritur për 129.744”, theksohet më tej.

Që nga viti 1973, kur numri i lindjeve të reja arriti kulmin në rreth 2,09 milionë, Japonia ka përjetuar rënie të numrit të lindjeve.

Një dekadë më vonë, në vitin 1984, lindjet e reja në Japoni kishin rënë në 1,5 milion. Në vitin 2016, u regjistruan më pak se një milion foshnja të reja.

Muajin e kaluar, kryeministri japonez Fumio Kishida tha se qeveria e tij do t’u japë prioritet politikave që synojnë lehtësimin e rritjes së fëmijëve, që është “investimi më efektiv për të ardhmen”.

Kishida paralajmëroi se kombi prej rreth 126 milionë banorësh, i cili gjithashtu po përballet me një popullsi të plakur, është “në prag të humbjes së funksionit të tij social për shkak të rënies së shpejtë të lindjeve”.

Duke premtuar ndryshim të normës në rënie të lindjeve në vend, kryeministri tha se qeveria e tij do të punojë për “krijimin e një ekonomie dhe shoqërie të përqendruar te fëmijët” së bashku me Agjencinë e Fëmijëve dhe Familjeve, një organ i ri qeveritar që do të fillojë funksionimin në prill.

MARKETING