Japonia pret mbërritjen e cisternës së parë të naftës pas kalimit nëpër Ngushticën e Hormuzit
Cisterna e parë japoneze e naftës bruto që arriti të kalojë përmes Ngushticës së Hormuzit pritet të mbërrijë të hënën në Japoni, transmeton Anadolu..
Transmetuesi publik NHK raportoi se Ministria e Industrisë tha se anija Idemitsu Maru, me flamur panamez, po transporton 2 milionë fuçi naftë bruto saudite drejt një objekti përpunimi në provincën Aichi në Japoninë qendrore.
Anija është cisterna e parë e menaxhuar nga një kompani japoneze që del nga kjo rrugë strategjike detare që nga fillimi i një bllokade de facto në rajon.
Sipas burimeve të njohura me çështjen, në bord të cisternës ndodhen tre anëtarë japonezë të ekuipazhit dhe asnjëri prej tyre nuk ka raportuar probleme shëndetësore.
Një zyrtar i lartë i ministrisë tha se autoritetet janë të përqendruara kryesisht në kthimin e sigurt të ekuipazhit dhe theksoi se lundrimi i sigurt përmes Ngushticës së Hormuzit mbetet thelbësor për furnizime të qëndrueshme me energji. Ministria tha se do të vazhdojë ta monitorojë nga afër situatën.
NHK raportoi se një tjetër cisternë e naftës bruto në pronësi të një dege të kompanisë Eneos Holdings ka kaluar përmes ngushticës dhe pritet të arrijë në Japoni në fillim të qershorit.
Tensionet rajonale janë përshkallëzuar që kur SHBA-ja dhe Izraeli ndërmorën sulme kundër Iranit në fund të shkurtit. Teherani u kundërpërgjigj me sulme që shënjestruan Izraelin, si dhe aleatët amerikanë në Gjirin Persik, së bashku me mbylljen e Ngushticës së Hormuzit.
Një armëpushim hyri në fuqi më 8 prill përmes ndërmjetësimit pakistanez, por bisedimet në Islamabad nuk arritën të prodhonin një marrëveshje afatgjatë. Presidenti amerikan, Donald Trump, më vonë e zgjati armëpushimin për një afat të pacaktuar.

