Izraeli vret 11 palestinezë në sulm me dronë në Gaza, përfshirë 2 fëmijë

Sipas burimeve palestineze, të paktën 11 palestinezë, përfshirë dy fëmijë dhe një grua, u vranë në orët e vona të së enjtes në një sulm izraelit me dronë në një shtëpi banimi në Gazën veriore, transmeton Anadolu.
Agjencia palestineze e lajmeve Wafa raportoi se dronët izraelitë qëlluan me raketa të shumta në një shtëpi familjare në zonën Tel al-Zaatar, duke shkaktuar shkatërrim të gjerë dhe duke plagosur disa njerëz brenda.
Vetëm të enjten, ushtria izraelite vrau të paktën 45 palestinezë gjatë sulmeve të intensifikuara ajrore, me dronë dhe artileri në gjithë Rripin e Gazës, sipas burimeve mjekësore palestineze, ekipeve të mbrojtjes civile dhe dëshmitarëve okularë.
Më shumë se 51.000 palestinezë janë vrarë në luftën gjenocidale të Izraelit në Gaza që nga tetori 2023, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.
Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhra arresti nëntorin e kaluar për kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavë.