Izraeli kreu sulm kundër Iranit
Mediat amerikane, duke u bazuar në zyrtarë amerikanë njoftuan se Izraeli ka kryer sulm ndaj Iranit, transmeton Anadolu.
Lajmi për sulmin e Izraelit ndaj Iranit i cili u raportua fillimisht nga kanali amerikan ABC News, bazuar në një zyrtar amerikan u transmetua më pas për ndjekësit e tyre edhe nga CBS News dhe CNN.
Sipas lajmeve të bazuara në zyrtarë të paidentifikuar amerikanë, Izraeli nisi një kundërsulm ndaj Iranit në orët e para të mëngjesit të së premtes me orën lokale.
ABC News vuri në dukje se nuk janë konfirmuar pretendimet që Izraeli ka goditur edhe disa zona në Siri dhe Irak.
Duke folur për CNN, zyrtari amerikan tha se administrata e Bidenit nuk i dha dritën e gjelbër “kundërsulmit të Izraelit ndaj Iranit” dhe se SHBA-ja nuk dëshiron konflikt gjithëpërfshirës në rajon.
Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Pentagoni nuk e kanë konfirmuar ende sulmin në fjalë.
Mediat iraniane kanë njoftuar se shpërthime janë dëgjuar në verilindje të provincës Isfahan, ku ndodhet baza e Forcave Ajrore iraniane.
Në lajmin e televizionit shtetëror thuhet se “Burimet e lajmeve raportojnë se një shpërthim relativisht i fortë është dëgjuar në rajonin Isfahan. Burimi i këtij zëri ende nuk është bërë i ditur”.
Agjencia gjysmë zyrtare e lajmeve Fars, duke u bazuar në burime lokale njoftoi se një shpërthim u dëgjua në qytetin Kehcavaristan, në verilindje të Isfahanit.
Duke vënë theksin se shkaku i këtyre zhurmave nuk dihet ende, Fars raportoi se qyteti i Kehcavaristanit ndodhet pranë aeroportit të Isfahanit dhe bazës së 8-të të Forcave Ajrore të Ushtrisë.