Izet Mexhiti: Arsimi i lartë, prioritet strategjik për zhvillimin e Çairit

Kandidati i VLEN-it, për kryetar të Çairit, Izet Mexhiti, ka deklaruar sot se arsimi i lartë është një prioritet strategjik që garanton zhvillimin e shoqërisë, inovacionin dhe të ardhmen e vendit tonë.
Për këtë arsye, ka deklaruar ai, është në qendër të agjendës së tyre, zhvillimin, investimin dhe përmirësimin e kapaciteteve akademike.
“Investimi në arsimin e lartë është edhe detyrë institucionale, sepse arsimi cilësor është parakusht për zhvillimin social dhe ekonomik të vendit dhe për afirmimin e Çairit si një qendër edukimi dhe inovacioni.
Komuna e Çairit kufizohet me katër universitete të rëndësishme, dhe vizioni ynë është të krijojmë mundësi reale për studentët, duke siguruar mbështetje, infrastrukturë moderne dhe programe akademike me standarde evropiane, që do t’u mundësojnë studentëve të zhvillojnë potencialin e tyre të plotë.
Një shembull konkret i përkushtimit tonë është Universiteti “Nënë Tereza”, i cili këtë vit shënon 10-vjetorin e themelimit. Gjatë mandatit tim si kryetar i Komunës së Çairit, dhashë kontributin maksimal për krijimin e këtij universiteti, me synimin për të ofruar një mjedis akademik dhe mundësi zhvillimi në gjuhën shqipe. Sot, Universiteti “Nënë Tereza” ka arritur të marrë një rol të rëndësishëm kombëtar dhe rajonal, duke ofruar programe konkurruese dhe perspektivë evropiane për studentët shqiptarë.
Projekti i zhvillimit të universitetit ka vazhduar edhe pas kalimit në qeverisje, ku përmes investimit strategjik mbi 35 milionë euro, po mundësojmë ndërtimin e kampusit të ri. Ky projekt i madh do të ofrojë kapacitete moderne, laboratorë të specializuar dhe hapësira për kërkim shkencor, duke e pozicionuar Universitetin “Nënë Tereza” si një qendër inovacioni dhe bashkëpunimi ndërkombëtar”, ka deklaruar Mexhiti.