Iseni: Shqiptarët nuk janë përjashtuar nga Akademia Policore, të flasim me fakte dhe jo me propagandë
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, ka reaguar lidhur me debatin për përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet e sigurisë, në veçanti për konkursin e Akademisë Policore, e cila pritet të rikthehet pas 26 vitesh.
Përmes një statusi në Facebook, Iseni ka deklaruar se përfaqësimi i shqiptarëve në institucionet e sigurisë është një çështje që duhet trajtuar me seriozitet, ndërsa çdo proces që ndikon në këtë përfaqësim, sipas tij, duhet të zhvillohet në mënyrë transparente dhe mbi bazën e fakteve.
“Por sot duhet të flasim me fakte, jo me propagandë”, ka shkruar Iseni.
Ai ka theksuar se që nga fillimi i procesit është bërë thirrje që sa më shumë të rinj shqiptarë të aplikojnë në konkursin për Akademinë Policore dhe ta shfrytëzojnë këtë mundësi.
Megjithatë, sipas Isenit, interesimi i shqiptarëve për këtë konkurs nuk ka qenë në nivelin e pritshmërive. Ai ka bërë të ditur se një pjesë e kandidatëve që kanë aplikuar nuk janë paraqitur në fazën e testimit dhe, për rrjedhojë, janë tërhequr nga gara.
Zëvendësministri e ka cilësuar si të pandershme politikisht deklaratën se shqiptarët janë “përjashtuar”, pa u bërë e qartë, sipas tij, se sa shqiptarë kanë aplikuar, sa kanë vijuar procesin dhe sa prej tyre kanë përmbushur kriteret e përcaktuara.
“Ne nuk do të lejojmë që një proces institucional të shfrytëzohet për të krijuar ndjenjën e përjashtimit te qytetari shqiptar”, është shprehur Iseni.
Ai ka nënvizuar se qëndrimi i tij është në favor të një përfaqësimi real, mundësive të barabarta dhe qasjes së drejtë të shqiptarëve në çdo institucion.
Në fund të reagimit, Iseni i është drejtuar edhe Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), duke e akuzuar këtë subjekt politik se po tenton ta shfrytëzojë çështjen për përfitime politike.
“BDI-së i themi: Mos e përdorni interesin e shqiptarëve për politikë ditore”, ka përfunduar Iseni.

