Irani: Përfundimi i luftës, heqja e bllokadës dhe sanksioneve janë “kërkesat minimale” për paqe
Zv/ministri i Punëve të Jashtme i Iranit, Kazem Gharibabadi, ka deklaruar se përfundimi i luftës, heqja e bllokadës dhe largimi i sanksioneve janë “kërkesat minimale” për çdo marrëveshje serioze të paqes, si dhe ka akuzuar SHBA-në se po ndjekin presion në vend të diplomacisë, transmeton Anadolu.
Në një postim në rrjetin social amerikan X, Gharibabadi tha se “paqja e vërtetë” nuk mund të ndërtohet përmes “poshtërimit, kërcënimeve dhe detyrimit për koncesione”.
“Kur një palë e përfshirë drejtpërdrejt në luftë, bllokadë, sanksione dhe kërcënime me forcë e refuzon përgjigjen e Iranit thjesht sepse nuk është dokument dorëzimi, bëhet e qartë se çështja kryesore nuk është paqja, por imponimi i vullnetit politik përmes presionit dhe kërcënimeve”, shkroi ai.
Gharibabadi tha se Irani ka theksuar “parime të qarta”, përfshirë përfundimin e përhershëm të luftës, parandalimin e përsëritjes së saj, kompensimet, heqjen e bllokadës dhe sanksioneve të paligjshme, si dhe respektimin e të drejtave të Iranit.
“Këto nuk janë kërkesa maksimale, janë kërkesat minimale për çdo marrëveshje serioze dhe të qëndrueshme, në përputhje me Kartën e OKB-së, për t’i dhënë fund një krize të krijuar nga përdorimi i paligjshëm i forcës”, shtoi ai.
Zv/ministri i jashtëm gjithashtu kritikoi atë që e quajti politika kontradiktore perëndimore.
“Nuk mund të flasësh për armëpushim ndërsa vazhdon bllokadën, të flasësh për diplomaci ndërsa intensifikon sanksionet apo të pretendosh se mbështet stabilitetin rajonal ndërsa mbështet politikisht dhe ushtarakisht një regjim që është burimi i agresionit dhe paqëndrueshmërisë”, shkroi ai.
Sipas tij, kjo qasje nuk është negociatë, por është “vazhdim i politikës së detyrimit përmes gjuhës diplomatike”.
SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulme ndaj Iranit më 28 shkurt, duke shkaktuar kundërpërgjigje nga Teherani kundër Izraelit dhe aleatëve të SHBA-së në Gjirin Persik, si dhe mbylljen e Ngushticës së Hormuzit.
Një armëpushim hyri në fuqi më 8 prill përmes ndërmjetësimit të Pakistanit, por bisedimet në Islamabad nuk arritën një marrëveshje të qëndrueshme. Armëpushimi më pas u zgjat nga presidenti amerikan, Donald Trump, pa një afat të caktuar.
Të dielën, Irani i dërgoi Pakistanit përgjigjen ndaj një propozimi amerikan për përfundimin e luftës, por Trump e hodhi poshtë si “plotësisht të papranueshëm”.
Zyrtarët iranianë thonë se propozimi i Teheranit fokusohet në përfundimin e luftës, heqjen e sanksioneve dhe rikthimin e sigurisë detare në Ngushticën e Hormuzit.

