Irani: Futbollistët e kombëtares duhet të hyjnë dhe largohen nga territori i SHBA-së në ditën e ndeshjes
Kombëtarja e Iranit për Kupën e Botës është njoftuar se duhet të hyjë dhe të largohet nga SHBA-ja brenda të njëjtës ditë kur zhvillon ndeshjet e saj atje, tha të dielën ambasadori iranian në Meksikë, transmeton Anadolu.
Për shkak të luftës SHBA-Izrael kundër Iranit, kombëtarja iraniane ndodhet aktualisht në Meksikë, duke hequr dorë nga planet fillestare për t’u stërvitur në Tucson, në shtetin amerikan të Arizonës.
“Mund të hyjmë në mëngjes dhe duhet të largohemi po atë ditë”, u tha gazetarëve ambasadori Abolfazl Pasandideh, duke përmendur kufizimet e vizave.
Kombëtarja iraniane pritet të luajë tri ndeshje të fazës së grupeve në territorin e SHBA-së, përfshirë dy ndeshje në Los Angeles dhe një në Seattle.
Tensionet rajonale u përshkallëzuan pasi SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulme ajrore ndaj Iranit në fund të shkurtit.
Në kundërpërgjigje, Irani kreu sulme ndaj Izraelit dhe goditi vende që strehojnë baza ushtarake amerikane, ndërsa gjithashtu ndaloi lundrimin përmes Ngushticës së Hormuzit, një rrugë kyç për furnizimet globale me energji.
Më vonë hyri në fuqi një armëpushim, megjithëse përpjekjet diplomatike për të arritur një marrëveshje më të gjerë kanë vazhduar.

