Irani “bie dakord” me Omanin për itinerarin e kalimit në Hormuz, e lidh rihapjen me përmbushjen e angazhimeve nga SHBA

Irani “bie dakord” me Omanin për itinerarin e kalimit në Hormuz, e lidh rihapjen me përmbushjen e angazhimeve nga SHBA

Presidenti Iranian, Masoud Pezeshkian, ka deklaruar se Teherani është dakorduar me Omanin për një itinerar kalimi përmes Ngushticës së Hormuzit dhe se do ta rihapë këtë rrugë ujore strategjike nëse SHBA-ja përmbush angazhimet e saj sipas Memorandumit të Islamabadit të nënshkruar në qershor, transmeton Anadolu.

MARKETING

Description of image

“Jemi dakorduar me Omanin për itinerarin e kalimit përmes Hormuzit dhe, nëse SHBA-ja përmbush angazhimet e saj sipas memorandumit të mirëkuptimit, ne do ta hapim ngushticën”, tha Pezeshkian.

Sipas agjencisë zyrtare iraniane të lajmeve IRNA, Pezeshkian tha se itinerari i kalimit i është komunikuar gjithashtu udhëheqësit suprem të Iranit.

“Tani po e ndjekim këtë çështje. Nëse SHBA-ja përmbush angazhimet e saj lidhur me heqjen e sanksioneve dhe bllokadës, zhbllokimin e aseteve, fillimin e investimeve dhe përfundimin e luftës në Liban, edhe ne do ta hapim Ngushticën e Hormuzit”, tha ai.

“Deri në pikën ku kanë arritur bisedimet, edhe ata e pranojnë se duhet t’i rikthehemi memorandumit të mirëkuptimit”, shtoi ai, duke iu referuar palës amerikane.

Pezeshkian tha se Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare i Iranit kishte arritur atë që ai e quajti një konsensus “të jashtëzakonshëm” për marrëveshjen, me 12 nga 13 anëtarët e tij që votuan në favor.

“Kjo mençuri kolektive ishte një arritje e madhe”, tha ai.

Presidenti iranian tha se sanksionet dhe bllokada fillimisht u hoqën, ndërsa nisën negociatat për zhbllokimin e fondeve të ngrira iraniane dhe po përgatiteshin plane për investime në vlerë prej 300 miliardë dollarësh.

Ai theksoi se Irani, nga ana e tij, po punonte për ta rikthyer Ngushticën e Hormuzit në statusin e saj të mëparshëm.

“Por për shkak se ata nuk i respektuan angazhimet, memorandumi i mirëkuptimit dështoi”, shtoi ai.

Irani dhe Omani kanë zhvilluar bisedime për një marrëveshje për menaxhimin e transportit detar përmes kësaj rruge ujore që kur memorandumi i dakorduar mes Washingtonit dhe Teheranit dështoi muajin e kaluar.

Sipas kësaj marrëveshjeje, SHBA-ja dhe Irani ranë dakord të zgjasnin armëpushimin e prillit dhe gradualisht të lejonin që transporti detar përmes ngushticës të rikthehej në nivelet e paraluftës, ndërsa zhvillonin bisedime për një zgjidhje përfundimtare për t’i dhënë fund luftës që nisi në shkurt.

MARKETING