Inteligjenca amerikane: Putini ka ulur në mënyrë drastike ambiciet në Ukrainë

Inteligjenca amerikane: Putini ka ulur në mënyrë drastike ambiciet në Ukrainë

Drejtori i Shërbimit Informativ Kombëtar të SHBA-së (DNI), Avril Haines tha se presidenti rus, Vladimir Putin ka ulur në mënyrë drastike ambiciet në Ukrainë.

Ajo vuri në dukje para Komisionit të Senatit për Shërbimet e Armatosura se lideri rus tani është i fokusuar në parandalimin e anëtarësimit të Ukrainës në NATO, pakti i mbrojtjes që formon mburojën kryesore kundër agresionit rus në Evropë.

“Ne vlerësojmë se Putini ka të ngjarë të zvogëlojë ambiciet e menjëhershme për të konsoliduar kontrollin mbi territorin e pushtuar në Ukrainën lindore dhe jugore. Rusia po përpiqet që Ukraina të mos bëhet kurrë aleat i NATO-s”, tha Haines.

Drejtori i Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes, gjenerallejtënant Scott D. Berrier shtoi se Rusisë mund t’i duhet deri në një dekadë për t’i rritur kapacitetet ushtarake.

“Vlerësimet shkojnë nga pesë në 10 vjet bazuar në mënyrën se si sanksionet ndikojnë në to”, tha ai, raporton abcnews.

Haines tha se forcat ruse fituan më pak territor në muajin prill se në cilindo nga tre muajt e mëparshëm pasi ato dukej se po kalonin nga operacionet sulmuese në ato mbrojtëse përgjatë vijës së frontit.

Ajo shtoi se Putini mund të kërkojë një armëpushim në përpjekje për të rifreskuar ushtrinë e rraskapitur ruse, e cila sipas vlerësimeve amerikane ka pësuar më shumë se 200 mijë viktima. /Telegrafi/

MARKETING