INNOX prezantohet në Take Off Istanbul 2025, hapen perspektiva të reja për inovacion në Maqedoninë e Veriut
INNOX Innovation Centre mori pjesë në Take Off Istanbul 2025, një nga ngjarjet më të mëdha ndërkombëtare për startup-e, inovacion dhe investime, ku u zhvilluan takime të rëndësishme me përfaqësues të institucioneve financiare, teknologjike dhe organizatave ndërkombëtare.
Në këtë ngjarje ishin të pranishëm Dr. Bilal Sucubaşı, Drejtor i Përgjithshëm i Halk Katılım Bankası dhe njëkohësisht Kryetar i Bordit Drejtues të INNOX, Abil Baush, CEO i INNOX Innovation Centre, Zoran Lazarevski, anëtar i MASIT dhe Nënkryetar i WITSA, si dhe Muhammed Can Veysel, përfaqësues i T3 Foundation në Mal të Zi dhe studiues në Marrëdhënie Ndërkombëtare.
Gjatë takimeve në kuadër të Take Off Istanbul 2025, u konfirmua se T3 Foundation pritet të zhvillojë aktivitete në hapësirat e INNOX në Shkup, duke hapur mundësi të reja bashkëpunimi në fushën e teknologjisë dhe inovacionit. Po ashtu, u diskutua edhe mundësia e organizimit të TEKNOFEST në Maqedoninë e Veriut, një ngjarje që do të kontribuonte në promovimin e teknologjive të avancuara dhe përfshirjen e të rinjve në sektorin e inovacionit.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm është përgatitja e një programi akselerimi për startup-e, i cili pritet të realizohet gjatë vitit 2026, në partneritet me DİJİTALPARK TEKNOKENT nga Turqia. Programi synon të mbështesë startup-et inovative nga Maqedonia e Veriut përmes mentorimit, transferimit të njohurive dhe lidhjes me tregje dhe investitorë ndërkombëtarë.
Theks i veçantë në këto iniciativa i takon Dr. Bilal Sucubaşı, i cili vlerësohet si një nga përkrahësit kryesorë të INNOX dhe i cili ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në ndërtimin e një ekosistemi funksional të inovacionit dhe sipërmarrjes në vend. Mbështetja e tij strategjike po e forcon rolin e INNOX si një platformë bashkëpunimi mes financës, teknologjisë dhe sipërmarrjes.
Pjesëmarrja në Take Off Istanbul 2025 konsiderohet si një hap i rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit të INNOX dhe krijimit të mundësive konkrete për zhvillimin e startup-eve dhe inovatorëve në Maqedoninë e Veriut.

