Iniciativa qytetare “Më mirë për Tetovën” në mbështetje të protestës studentore
MARKETING
Iniciativa qytetare “Më mirë për Tetovën” në mbështetje të protestës studentore që pritet të mbahet nesër në Shkup, me fillim në ora 12.30 nga Ura e Gurit deri tek Ministria e Drejtësisë.
Nga iniciativa qytetare “Më mirë për Tetovën” thonë se gjuha shqipe është një nga gjuhët më të lashta në botë dhe përbën një vlerë për çdo shoqëri që ka privilegjin ta përdorë. Përtej dimensionit kulturor, ajo është element themelor dhe i panegociueshëm i identitetit të shqiptarëve.
MARKETING

Komunikata e plotë nga “Më mirë për Tetovën” në vijim:
GJUHA JONË, E DREJTA JONË!
Gjuha, përtej të qenit mjet komunikimi, është element thelbësor i identitetit. Në një shtet multietnik si Maqedonia e Veriut, respektimi dhe përdorimi i plotë e gjithpërfshirës i gjuhës shqipe nuk mund të reduktohet në statistikë apo temë të politikës ditore. Ai është parakusht për barazi reale në mes qytetarëve.
Nëse Kushtetuta vendos një standard minimal, ligji duhet ta zgjerojë dhe ta konkretizojë atë, ndërsa institucionet, përmes administratës publike, duhet ta garantojnë zbatimin e plotë në praktikë. Në Maqedoninë e Veriut ndodh e kundërta: Kushtetuta nuk e pasqyron realitetin shoqëror, ligji e deformon atë që lejon Kushtetuta, ndërsa institucionet sabotojnë zbatimin e ligjit. Çdo dobësim në këtë zinxhir, qoftë përmes interpretimit kufizues të Kushtetutës dhe ligjit apo mungesës së vullnetit institucional, prodhon pabarazi dhe dëmton besimin e qytetarëve në shtet.
Për të garantuar barazinë ndërmjet qytetarëve dhe për të ruajtur kohezionin e brendshëm shoqëror, shteti me fanatizëm duhet të mbrojë përdorimin e plotë dhe të barabartë të gjuhës shqipe në të gjitha nivelet e pushtetit. Kjo nuk e dobëson shtetin; përkundrazi, e konsolidon atë duke mundësuar përfshirje qytetare dhe duke rritur legjitimitetin institucional.
Gjuha shqipe është një nga gjuhët më të lashta në botë dhe përbën një vlerë për çdo shoqëri që ka privilegjin ta përdorë. Përtej dimensionit kulturor, ajo është element themelor dhe i panegociueshëm i identitetit të shqiptarëve. Si e tillë, përdorimi i saj nuk mund të kufizohet, relativizohet apo cenohet nga asnjë mekanizëm institucional apo politik; përkundrazi, duhet të mbrohet dhe të garantohet pa kompromis si e drejtë themelore.
Prandaj, nesër të gjithë në protestë. Ta mbrojmë gjuhën shqipe duke e përdorur atë!

