Iniciativa e Zejdit pranë Kushtetueses sjell ndryshim: Diaspora fiton të drejtën e barabartë

Deputeti i Frontit Europian dhe njëkohësisht kryetari i Lëvizjes “Populli”, Skender Rexhepi-Zejdi, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me iniciativën e dorëzuar prej tij.
MARKETING
Gjykata vendosi të shfuqizojë pjesën e metodologjisë së regjistrimit të popullsisë që parashikonte ndarjen e qytetarëve në kategori “rezidentë” dhe “jo-rezidentë”. Sipas Rexhepit, ky vendim përbën një fitore të rëndësishme për diasporën shqiptare.
Reagimi i plotë Zejd-Rexhepit:
FITORE E MADHE PËR DIASPORËN SHQIPTARE!
Sot Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut e rrëzoi ndarjen absurde e diskriminuese të qytetarëve në “rezidentë” dhe “jo-rezidentë”, të bërë në mënyrë joligjore përmes metodologjisë së regjistrimit të vitit 2021!
Ky vendim historik erdhi si rezultat i një iniciative që ne e dërguam në Gjykatën Kushtetuese, duke kundërshtuar ndarjen e padrejtë që e fshinte diasporën nga trupi i kombit!
Vendimi është i qartë: Këto ndarje nuk do të lejohen më në të ardhmen!
KJO ËSHTË FITORE E DIASPORËS!
Ju që jetoni në mërgim, që mbani familjet, që kontribuoni ekonomikisht dhe që e doni këtë tokë më shumë se shumë nga ata që marrin vendime për ne — sot keni fituar një betejë të rëndësishme për dinjitetin tuaj!
– Askush më nuk ka të drejtë të ju cilësojë si qytetarë “të dorës së dytë”.
– Askush nuk mund të ju përjashtojë më me metoda teknike e mashtrime statistike!
Një komb – një popull – pa ndarje, pa kategorizime!
Të bashkuar në të drejtat tona, qofshim brenda apo jashtë kufirit administrativ.
E drejta e fituar sot, është një precedent për çdo betejë që na pret nesër.