Iljaz Veseli reagon pas shkarkimit: Vendimi u mor nga “shumicë e re për interesa personale”

Iljaz Veseli reagon pas shkarkimit: Vendimi u mor nga “shumicë e re për interesa personale”

Ish-kryetari i Këshillit Komunal të Komunës së Sarajit, Iljas Veseli, ka reaguar pas shkarkimit të tij nga kjo pozitë, duke e cilësuar vendimin si të ndikuar nga interesa politike dhe personale.

Në reagimin e tij drejtuar qytetarëve, Veseli thekson se shkarkimi u votua nga një shumicë e re prej 10 këshilltarësh, të cilën ai e përshkruan si të krijuar përmes “pazareve politike” dhe të nxitur, sipas tij, nga kryetari i komunës, Muhamed Elmazi.

Sipas Veselit, qëllimi i kësaj shumice është marrja nën kontroll e Këshillit Komunal për të mundësuar vendime që, siç pretendon ai, janë në interes të grupeve të caktuara politike dhe biznesore, dhe jo të qytetarëve të Sarajit.

Ai paralajmëron se në periudhën e ardhshme mund të merren vendime të diskutueshme, përfshirë shitjen e tokave dhe marrjen e një kredie prej 2 milionë eurosh nga komuna, barrë që sipas tij do të bie mbi qytetarët.

Veseli shton se gjatë mandatit të tij nuk do të kishte lejuar miratimin e vendimeve të tilla, duke e konsideruar këtë si një nga arsyet kryesore për largimin e tij nga posti.

Në fund, ai thekson se do të vazhdojë angazhimin politik së bashku me këshilltarët e tij, duke premtuar se do të mbrojë interesin publik dhe vullnetin e qytetarëve.

MARKETING