Ilaçi “Foster” në farmaci nga 1 gushti me participim prej 280 denarësh, “Xarelto” nga 1 janari për 160 denarë

Ilaçi “Foster” në farmaci nga 1 gushti me participim prej 280 denarësh, “Xarelto” nga 1 janari për 160 denarë

Ilaçi “Foster”, terapi inhalatore për astmën dhe sëmundjen pulmonare obstruktive kronike (SPOK), nga 1 gushti pritet të jetë i disponueshëm në barnatore pa pagesë shtesë, me pjesëmarrje prej 280 denarësh, ndërsa për antikoagulantin “Xarelto” (“rivaroksaban”), nga 1 janari pjesëmarrja do të jetë 160 denarë, njoftoi sot drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Sasho Klekovski.

Ai në një konferencë për shtyp theksoi se ulja e çmimeve të barnave po arrihet përmes dy mekanizmave – negociatave me prodhuesit gjatë përfshirjes së barnave në listën pozitive dhe futjes së konkurrencës me barna gjenerike, gjë që rekomandohet edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Ai tha se kur në listën pozitive ndodhet vetëm një markë, prodhuesi ka më pak motiv për të ulur çmimin, ndërsa shfaqja e konkurrencës mundëson çmime më të ulëta.

Si shembull ai përmendi ilaçin “Xarelto”, i cili më parë kushtonte 2.200 denarë dhe ishte më i shtrenjtë krahasuar me vendet fqinje. Me përfshirjen e tij në listën pozitive, çmimi do të përgjysmohet dhe do të jetë më i lirë se në Kosovë, ndërsa nga 1 janari pacientët do të paguajnë për të një pjesëmarrje prej 160 denarësh.

Një shembull të ngjashëm dha edhe për ilaçin “Foster”, duke thënë se ai kishte qenë i vetmi në treg dhe njëkohësisht ilaçi origjinal.

Pas daljes në treg të ilaçit gjenerik “Bloceta”, i prodhuar në Bashkimin Evropian, çmimi referues në këtë kategori barnash është ulur nga 2.715 në 1.915 denarë, pra me plot 800 denarë.

Sipas tij, ilaçi “Bloceta” tashmë është i disponueshëm në barnatore pa pagesë shtesë, ndërsa prodhuesi i ilaçit origjinal “Foster” ka pranuar ta shesë me çmimin e ri referues më të ulët.

“Pas një komunikimi trejavor, prodhuesi i ‘Foster’ dje dorëzoi njoftimin se pranon që ilaçi të jetë në shitje në barnatoret e Maqedonisë me çmimin e ri referues prej 1.915 denarësh, që do të thotë se ilaçi do të jetë i disponueshëm për qytetarët pa pagesë shtesë, vetëm me pjesëmarrje, e cila do të jetë 20 denarë më e ulët dhe do të arrijë në 280 denarë. Ky çmim do të hyjë në fuqi pasi të shterojnë sasitë e ilaçit që tashmë janë furnizuar në barnatore. Pres që nga 1 gushti ‘Foster’ të jetë i disponueshëm pa pagesë shtesë. ‘Bloceta’ tashmë është në dispozicion në barnatore pa pagesë shtesë”, tha Klekovski.

Ai shtoi se vetëm nga ulja e çmimit referues të “Foster”, Fondi do të kursejë rreth 50 milionë denarë deri në fund të vitit, mjete që do të përdoren për futjen e një ilaçi të ri të gjeneratës më të fundit për pacientët me astmë dhe SPOK.

Nga Lidhja Socialdemokrate (LSDM) akuzuan se Qeveria i ka mashtruar dhe zhgënjyer pacientët që vuajnë nga astma dhe sëmundja pulmonare obstruktive kronike, sepse përveç rritjes së çmimit të ilaçit “Foster” nga rreth 300 në 1.080 denarë, siç thonë ata, në barnatore mungon edhe ilaçi zëvendësues.

“Në këtë varfëri në të cilën VMRO i ka sjellë qytetarët, shumë pacientë thjesht nuk kanë mundësi të ndajnë edhe 780 denarë shtesë për një terapi pa të cilën nuk mund të jetojnë normalisht. Fondi u premtoi pacientëve një ilaç gjenerik falas si zëvendësim për ilaçin ‘Foster’. Ndërsa tani, sipas informacioneve që kanë mbërritur tek ne, as ai ilaç gjenerik, i cili me recetë është falas, ende nuk gjendet në barnatore. Kjo është një lojë e turpshme me shëndetin e pacientëve kronikë, shëndeti i të cilëve varet nga ky ilaç”, tha dje zëdhënësja e partisë, Bogdanka Kuzeska.

Ndryshimet në çmimet e barnave, shtoi ajo, kanë shkaktuar rezistencë te një pjesë e kompanive farmaceutike dhe barnatoreve, pasi ulja e çmimeve ndikon në të ardhurat dhe fitimet e tyre.

“Si Fond, po punojmë aktivisht në bashkëpunim me mjekët amë dhe barnatoret për të tejkaluar keqkuptimet dhe çështje të ngjashme. Me zgjerimin e fundit të listës pozitive, pasi futëm tre barna të shtrenjta që janë në një kategori të veçantë kontrolli, supozoj se frika dhe rezistenca ishin disi më të mëdha se zakonisht. Megjithatë, po punojmë aktivisht me të gjitha palët e interesuara dhe besoj se problemet fillestare do të stabilizohen. Ka shqetësime të arsyeshme dhe të paarsyeshme. Shqetësimi i arsyeshëm është pasiguria se për cilat diagnoza mund të përshkruhen këto barna. Te antikoagulantët nuk mund të përcaktojmë kode sëmundjesh, sepse lista do të ishte shumë e gjerë, prandaj kemi lejuar që të gjithë specialistët të mund t’i përshkruajnë”, tha drejtori i FSSH-së.

Lidhur me disponueshmërinë e barnave, ai informoi se Fondi ka filluar kontrolle në barnatore për të verifikuar nëse pacientët po e realizojnë të drejtën e tyre për barna nga lista pozitive.

Ai tha se qytetarët kanë paraqitur ankesa për pesë barnatore në Manastir, dy në Shkup dhe për një mjek amë, për raste kur barnat nuk janë lëshuar me recetë, pavarësisht se ishte paraqitur raport specialistik.

Sipas Klekovskit, barnatoret janë të detyruara të sigurojnë disponueshmërinë e barnave nga lista pozitive në përputhje me kontratat me Fondin, ndërsa kontrollet do të vazhdojnë.

Më pas, Ministria e Shëndetësisë njoftoi se ilaçi “Foster” do të jetë sërish i disponueshëm pa pagesë shtesë, pa specifikuar një afat kohor, por duke bërë të ditur se kjo do të ndodhë në një të ardhme shumë të afërt.

MARKETING