Hovenier: Hapja e urës në Mitrovicë në këtë kohë mund të rrezikojë ushtarët amerikanë

Hovenier: Hapja e urës në Mitrovicë në këtë kohë mund të rrezikojë ushtarët amerikanë

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se ekziston një rrezik real i lidhur me hapjen e urës në Mitrovicë në këtë kohë, që mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë.

“Ne besojmë se ky rrezik rrit kërcënimin, mundësinë e dhunës dhe problemet e tjera, si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë që po punojnë për të siguruar paqen dhe sigurinë në Kosovë. Ne e marrim shumë seriozisht çdo veprim që mund të ndikojë në sigurinë dhe mbrojtjen e ushtarëve amerikanë që punojnë për të mbështetur Kosovën”, tha ambasadori amerikan.

“Shpresa jonë është që Qeveria do ta dëgjojë këtë dhe do t’i marrë parasysh këto shqetësime”, shtoi ai.

Qeveria e Kosovës ka thënë se synon të hapë për qarkullim të automjeteve urën mbi Ibër, që ndan Mitrovicën e Jugut me shumicë shqiptare dhe atë të Veriut me shumicë serbe. Me gjithë kundërshtimin e vendeve të QUINT-it dhe NATO-s, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ura duhet të hapet dhe se “nuk është kundër askujt”.

Paralajmërimi për hapjen e urës u bë pasi autoritetet e Kosovës më 5 gusht mbyllën zyrat e Postës së Serbisë në veri, veprim që është parë nga aleatët e Kosovës si “i pakoordinuar dhe i njëanshëm”.

Hovenier tha se SHBA-ja është sfiduar nga kryeministri dhe Qeveria e tij në disa aspekte.

“Duhet të them se cilësia e partneritetit tonë nuk është ajo që do të shpresonim të ishte në disa nga këto çështje që lidhen me mënyrën se si ai trajton veriun dhe si ai e menaxhon dialogun”.

Ai shtoi se veprimet e pakoordinuara të Qeverisë në veri e zvogëlojnë entuziazmin e SHBA-së për të mbështetur Kosovën në rrugën e saj euroatlantike.

“Ju lutemi, mos e ndërmerrni këtë veprim tani”

Radio Evropa e Lirë: Do t’ia filloj me zhvillimet e fundit. Përse nuk është kohë e përshtatshme për të hapur urën në Mitrovicë, për të cilën janë pajtuar edhe Kosova edhe Serbia në Bruksel?

Jeffrey Hovenier: Me të vërtetë më vjen mirë që e shtruat këtë pyetje sepse mendoj se kjo çështje është keqkuptuar. Shtetet e Bashkuara të Amerikës besojnë fuqishëm se nuk është koha për të rihapur urën për qarkullim të automjeteve. Më lejoni të sqaroj diçka.

Ne besojmë se ura përfundimisht do të duhet të hapet për qarkullim të automjeteve dhe kjo gjë, siç e thatë edhe ju, ishte pjesë e dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Është arritur një marrëveshje, por ne i kemi kërkuar Qeverisë që të mos vazhdojë me këtë çështje, tash për tash, dhe këtë nuk e kanë bërë vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kolegët e mi të QUINT-it kanë qenë me mua në një takim me kryeministrin (e Kosovës, Albin Kurti) për këtë çështje.

Arsyeja pse e kërkojmë këtë është se besojmë se ka rrezik të njëmendtë që lidhet me një veprim të tillë tani, si dhe besojmë se ky rrezik shton kërcënimin e mundshëm për dhunë dhe probleme të tjera, si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë, të cilët po punojnë për të ofruar paqe dhe siguri në Kosovë. Dhe, ne i marrim shumë seriozisht veprimet që mund të ndikojnë në sigurinë e ushtarëve amerikanë që punojnë për të mbështetur Kosovën.

Pra, kërkesa jonë drejtuar Qeverisë – dhe e kemi bërë këtë bisedë qe disa muaj – është: ju lutemi, mos e ndërmerrni këtë veprim tani. Punoni me ne. Duam të ndihmojmë për të krijuar kushte ku diç e tillë mund të bëhet, por nuk besojmë se është koha tani.

Radio Evropa e Lirë: Por, kush mund të shkaktojë dhunë?

Jeffrey Hovenier: Nuk mund të flas se kush mund të shkaktojë dhunë. Vetëm e di se kemi vlerësim që mund të ketë dhunë dhe që është reale dhe pyetja se kush mund të jetë përgjegjës për të, që është pyetje shumë e arsyeshme, nuk e mohon faktin se mund të ketë dhunë dhe rrezik të njëmendtë për komunitetin lokal dhe për ushtarët e NATO-s.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë të interesuara që në këtë çast ushtarët amerikanë të përballen me rrezik shtesë për këtë çështje.

Radio Evropa e Lirë: Në reagimin tuaj ndaj mbylljes së Postës së Serbisë, ju thatë se veprimet e pakoordinuara të Kosovës rrezikojnë qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it. Por, pikërisht në këtë rast, e dimë se KFOR-i ka një prezencë të përhershme në urë dhe KFOR-i gjithashtu mendon që kjo çështje duhet të diskutohet në dialogun në Bruksel. A mundet kjo çështje në një moment të vë KFOR-in në përballje me autoritetet e Kosovës?

Jeffrey Hovenier: Nuk mund të flas se si do të reagojë Kosova në një situatë të tillë. Mund të them se KFOR-i ka qenë mjaft i qartë se e merr seriozisht edhe këtë çështje.

KFOR-i ndan të njëjtin vlerësim të rrezikut që Shtetet e Bashkuara e kanë për këtë çështje dhe që ne ua kemi bërë të ditur autoriteteve të Kosovës, se hapja tani e urës për qarkullim të automjeteve do të rrisë rrezikun për ushtarët dhe kjo është arsyeja pse KFOR-i ka qenë gjithashtu shumë-shumë i qartë duke shprehur pikëpamjen se kjo duhet të bëhet vetëm në një mënyrë që e zbut atë rrezik. Por, ne nuk besojmë se planet aktuale e marrin parasysh atë rrezik.

“KFOR-i do të reagojë ndaj çfarëdo kërcënimi që do të rriste jostabilitetin në rajon”

Radio Evropa e Lirë: A mundet KFOR-i të refuzojë që të largohet nga ura?

Jeffrey Hovenier: Për këtë duhet të vendosë vetë KFOR-i. KFOR-i ka dhënë një varg deklaratash publike që është i gatshëm të përmbushë detyrat e tij, për të garantuar mjedis të qetë dhe të sigurt, si dhe për të mundësuar liri të lëvizjes në vend, por gjithashtu ka dalë me deklarata që qartësojnë se do të reagojë ndaj çfarëdo kërcënimi që do të rriste jostabilitetin në rajon.

Radio Evropa e Lirë: Pavarësisht këtij qëndrimi të QUINT-it, Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s, kryeministri Kurti këmbëngul se ura duhet të hapet dhe se kjo nuk është kundër askujt. Këto ditë kemi parë edhe punime në urë, testime, bisedime me popullatën vendore, edhe pse shumë pak serbë kanë marrë pjesë në to. Pra, duket se kryeministri Kurti po vazhdon me planin e tij, atë që prezantoi në takim para disa ditëve.

Jeffrey Hovenier: Nuk mund të flas për qëllimet e Qeverisë. E di që kryeministri më ka thënë se dëshiron t’i bëjë gjërat në bashkërenditje me bashkësinë ndërkombëtare dhe këtë e ka thënë publikisht. Porosia e bashkësisë ndërkombëtare për kryeministrin është më se e qartë se tani, në këtë çast, ne nuk e mbështesim ndryshimin e statusit të urës. Dhe, arsyeja pse nuk e mbështesim është sepse besojmë se ekziston mundësia për rritje të tensioneve dhe të dhunës, e cila rrit rrezikun për ushtarët dhe për komunitetet lokale, përfshirë edhe për ushtarët amerikanë. Kështu ka shkuar biseda jonë.

Shpresa jonë, kërkesat tona kanë qenë të sinqerta dhe të matura, por të qarta: shpresojmë që Qeveria do t’i marrë parasysh kërkesat e Shteteve të Bashkuara për diçka që ne besojmë se ndikon drejtpërdrejt në sigurinë e ushtarëve tanë dhe ushtarëve të NATO-s që punojnë në Kosovë. Shpresojmë që Qeveria ta dëgjojë këtë kërkesë dhe t’i marrë parasysh këto shqetësime.

Radio Evropa e Lirë: E, nëse nuk i merr parasysh? Si do të reagojnë Shtetet e Bashkuara?

Jeffrey Hovenier: Nuk hyj në çështje hipotetike. Kosova thotë se është partnere dhe mike jona. Kosova na thotë se është vendi më proamerikan në botë, prandaj, do të shpresoja që vendi më proamerikan në botë t’i dëgjojë kërkesat specifike të Qeverisë amerikane për të mos vënë në rrezik ushtarët e NATO-s, përfshirë ata amerikanë.

Radio Evropa e Lirë: Por, menjëherë pas takimit me QUINT-in, kryeministri – kabineti – doli me një deklaratë ku thuhej se ura duhet të hapet dhe po ashtu i kemi parë gjithë ato punime në urë. Pra, ata po vazhdojnë me planin e tyre…

Jeffrey Hovenier: Mund të them vetëm se edhe ne kemi dalë me deklarata pas takimit ku i kemi shprehur pikëpamjet tona, se jemi të shqetësuar për këtë veprim në këtë moment. Sërish, në afat të gjatë, Shtetet e Bashkuara pajtohen, e mendoj që edhe partnerët tanë evropianë po ashtu pajtohen, që ura do të duhej të hapej për qarkullim të automjeteve. Kjo marrëveshje është arritur në dialog. Shtrohet pyetja: si dhe në çfarë rrethanash? E, ne nuk besojmë që janë kushtet e përshtatshme pikërisht tani.

Arsyeja përse nuk besojmë që janë kushtet e përshtatshme pikërisht në këtë çast është për shkak të vlerësimit tonë, të cilin e kemi ndarë vazhdimisht me autoritetet e Kosovës, se kjo gjë shton rrezikun dhe kërcënimin për popullatën lokale dhe për ushtarët e NATO-s, duke përfshirë edhe ushtarët amerikanë.

Intervista e plotë

MARKETING