Historike: Ballkani mposht gjigantin kroat, Dinamo Zagreb

Historike: Ballkani mposht gjigantin kroat, Dinamo Zagreb

MARKETING

Ballkani merr fitoren e parë në këtë edicion të Conference League. Skuadra nga Suhareka mposhti për llogari të Grupit C, Dinamon e Zagrebit me shifrat 2-0. Një triumf që i garanton Ballkanit vendin e dytë në grup si dhe shton shanset për një kualifikim të mundshëm që do ta bënte edhe më historik këtë pjesëmarrje të dytë të suharekasve në Conference League.

MARKETING

Sample Image

Sa i takon kronikës së ndeshjes, në pjesën e parë të besuarit e trajnerit Ilir Daja u shfaqën më mirë se kundërshtari dhe sinjalin e parë e dhanë që në minutën e tretë me anë të Almir Kryeziut. Ky i fundit pretendoi për një 11-metërsh, por aksioni ishte i pavlefshëm për një pozicion jashtë loje të sulmuesit. Në minutën e 17-të, Berisha “vjedh” një top nga kundërshtarët dhe godet portën e Dinamos, por aty portieri Nevistic priti në pozicion.

Në vijim, ishte radha e Edvin Kuc dhe sërish Kryeziut që tentuan portën e kroatëve, por në njërin rast nuk u shënjestrua kuadrati ndërsa në rastin tjetër, goditja ishte e lehtë dhe u kontrollua nga portieri i Dinamo Zagreb. Megjithatë, goli “ndjehej në ajër” dhe erdhi në minutën e 44-të. Qëndrim Zyba ftoi në aksion Kryeziun i cili u shkëput bukur dhe nuk fali përballë portierit kundërshtar. Anësori akordoi pozicion jashtë loje, por ishte VAR që lejoi festën në Fadil Vokrri. Kështu, vendasit e mbyllën në avantazh pjesën e parë ndërsa në të dytën, miqtë shtuan dozën ofensive.

Në një rast ishte Jashanica që rrezikoi edhe autogolin në përpjekje për të larguar topin, megjithatë porta e Ballkanit mbeti e paprekur. Kampionët rezistuan dhe më pas gjetën mënyrën për të “vrarë” ndeshjen në të 83-tën.

Walid Hamidi rrëmbeu një top nga mbrojtësi i Dinamo Zagreb dhe më pas mposhti edhe portierin pavarësisht se ishte në një kënd mjaft të vështirë. Në fund, shifrat u fiksuan në 2-0 për Ballkanin që festoi një trepikësh të rëndësishëm në Grupin C duke marrë vendin e dytë në një grup që kryesohet nga Plzen me gjashtë pikë.

Në vend të tretë është Dinamo Zagreb me tre pikë dhe mbyll grupin me zero pikë Asatana. Ndeshja e radhës për Ballkanin është ajo ndaj Astanës në Fadil Vokrri më datë 26 tetor.

MARKETING