Haxhiu: Misionet ndërkombëtare asnjëherë nuk u morën seriozisht me adresimin e krimeve të Serbisë në Kosovë

Haxhiu: Misionet ndërkombëtare asnjëherë nuk u morën seriozisht me adresimin e krimeve të Serbisë në Kosovë

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se dhuna seksuale gjatë luftës ka qenë një prej krimeve që është mbajtur shumë gjatë në heshtje, transmeton Anadolu.

Në një konferencë në shënimin e Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt nën titullin “Së bashku për njohje dhe mbështetje”, Haxhiu tha se ata që e kryen këtë krim dhe urdhëruan duhet të ndëshkohen nga sistemi kosovar i drejtësisë, që, sipas Haxhiut, është bërë shumë pak në këtë drejtim pas përfundimit të luftës.

“Fatkeqësisht, misionet ndërkombëtare që erdhën në Kosovë për këtë qëllim, asnjëherë nuk u morën seriozisht me adresimin e krimeve që Serbia i ka bërë në vendin tonë. E kam thënë edhe më herët dhe po e përsëris edhe sot: Misionet që kishin përgjegjësi të merreshin me krimet e luftës, në fakt, nuk u morën me to. Viteve të fundit ka pasur përparime në këtë drejtim, besoj se për këtë pajtohemi të gjithë. Por krimet e kryera nga Serbia në Kosovë kanë qenë aq të shumta e aq të rënda, sa edhe hapat e ndërmarrë së fundmi, sado të rëndësishëm, ende duken të pamjaftueshëm”, theksoi Haxhiu.

Ajo u bëri thirrje institucioneve të drejtësisë që të ndërmarrin veprime dhe të mos ndalin angazhimin për adresimin e krimeve të luftës.

“Ndëshkimi i kriminelëve, përveç tjerash, dërgon edhe mesazh të qartë se shkeljet e rënda të drejtave të njeriut nuk do të mbeten pa ndëshkim. Prandaj edhe është jashtëzakonisht e rëndësishme që të mos ndalet puna dhe angazhimi. Por, edhe me rastin e aktgjykimeve dënuese për krimet e luftës shtohet edhe besimi në institucione dhe njihet vuajtja e personave të dhunuar gjatë luftës”, pohoi Haxhiu.

U.D. Presidentja Haxhiu tha se shteti nuk mund ta zhbëjë atë që ka ndodhur, por shteti është i pranishëm me mekanizma, me njerëz dhe me institucione që po e bëjnë rrugën më të lehtë për të mbijetuarit dhe të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës.

MARKETING