Grubi: Nuk ndjehem fajtor!
Ish zëvendës kryeministri, Artan Grubi nuk ndjehet fajtor për veprën penale që i ngarkohet për rastin e “Lotarisë Shtetërore”. Krahas tij, edhe të dyshuarit e tjerë, Metodija Dimevski, Skender Mehmeti, Bojan Janev, Fatmir Ramadanovski, Aleksandar Dimitrioski, u deklaruan të pafajshëm, përveç ish drejtorit të “Lotarisë Shtetërore” Përparim Bajrami i cili është në arrati.
I dyshuari i fundit Bashkim Avdi nuk u deklarua për fajësinë sepse tha se nuk e kupton gjuhën maqedonase dhe kërkoi që provat dhe aktakuza t’i përkthehen në gjuhën shqipe. Kjo ishte edhe arsyeja që u anulua seanca e sotme.
Prokuroria Publike e prezantoi aktakuzën se për çfarë saktësisht i akuzon të dyshuarit. Risia është se Prokuroria e ka specifikuar më tej aktakuzën që rezulton nga ekspertiza, kështu që në vend të dëmeve prej rreth 8.2 milionë eurosh, të dyshuarit tani ngarkohen me dëme prej rreth 9.7 milionë eurosh. Prokuroria Publike paralajmëroi prezantimin e 231 provave material, ekspertiza dhe dëgjim të 7 dëshmitarëve.

