Grubi: Nuk kam ambicie të jem kryeministri i parë shqiptar

Nuk kam ambicie të jem kryeministri i parë shqiptar i Maqedonisë së Veriut, por dua të kujtohem si për realizimin e projekteve nga korridoret 8 dhe 10-d, pra për ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë dhe për vendosjen e lidhjes Prishtinë-Shkup-Tiranë, tha zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve Ndërmjet Bashkësive Artan Grubi.

Në një paraqitje të ftuar në televizionin kosovar “Dukagjini”, Grubi ka theksuar se kandidati shqiptar për kryeministër do të propozohet nga lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, dhe siç ka theksuar ai është i sigurt se “nuk do të gabon në zgjedhjen e tij”.

“Ky është projekti i Ali Ahmetit për të thyer tabutë. Ka ardhur koha për të kapërcyer paragjykimet me zgjedhjen e kryeministrit shqiptar”, tha Grubi.

Ai thotë se me marrëveshjen e koalicionit 2020 mes LSDM-së dhe BDI-së, të nënshkruar nga kryeministri i atëhershëm Zoran Zaev dhe Ahmeti, parashihet që në 100 ditët e fundit të Qeverisë, kryeministër të jetë person i nacionalitetit shqiptar.

“Në marrëveshjen e koalicionit që e kemi arritur me Zoran Zaevin thuhet se në 100 ditët e fundit ai do të largohet nga Qeveria dhe do të zëvendësohet me një kryeministër shqiptar”, tha Grubi, duke pretenduar se kryeministri aktual Dimitar Kovaçevski ka premtuar se “marrëveshja do të jetë e vlefshme”.

Deklaratat e Grubit pasojnë pasi ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në një tubim të BDI-së në Çair, deklaroi se “për disa muaj kryeministër i vendit do të jetë një shqiptar”. Një deklaratë e tillë u interpretua si mundësi për zgjedhje të parakohshme, duke pasur parasysh se mandati i rregullt për zgjedhjet parlamentare është vitin e ardhshëm.

Megjithatë, sipas burimeve në LSDM dhe BDI, nuk është folur për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare mes partnerëve qeveritarë.

Burimet në LSDM vlerësojnë se deklarata e Osmanit është në kontekst të ngjarjeve në BDI dhe mesazh për të a.q. “grupi i zjarrit”.

MARKETING